Dhjetëra emigrantë që synonin të kalonin Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe krijuan skena të pazakonta përpara pushuesve në një resort bregdetar të veriut të Francës.
Të lidhura
None found
Situata u regjistrua në Hardelot-Plage, afro 40 kilometra në jug të Calais. Rreth 50 emigrantë, të pajisur me jelekë shpëtimi, u drejtuan me vrap për në det sapo panë një gomone që ndodhej afërsisht 100 metra larg vijës bregdetare.
Në grup ndodheshin gjithashtu gra me fëmijë të vegjël. Policia franceze u përpoq ta ndalonte nisjen, duke ndërhyrë me varka dhe mjete ujore, por pas disa tentativave drejtuesi i gomones arriti të largohej drejt Kanalit Anglez me një pjesë të emigrantëve në bord.
Emigrantët e tjerë mbetën në breg, nën vështrimin e turistëve që e ndoqën nga pranë të gjithë situatën. Disa prej pushuesve iu afruan fëmijëve emigrantë të mbetur në plazh dhe u ofruan ushqime e pije.
Sipas autoriteteve, raste të tilla po përsëriten gjithnjë e më shpesh në këtë pjesë të bregdetit. Vetëm gjatë një dite të javës së kaluar, rreth 700 emigrantë arritën të kalonin drejt Britanisë nga Hardelot-Plage dhe plazhet përreth.
Shtimi i kontrolleve të policisë në zonën pranë Calais i ka shtyrë trafikantët ta zhvendosin veprimtarinë më në jug, duke përdorur plazhe të gjata ku ndërhyrja e forcave të rendit paraqitet më e vështirë.
Franca dhe Britania kanë arritur një marrëveshje të re me vlerë rreth 660 milionë paund, e cila parashikon fuqizimin e patrullimeve përgjatë bregdetit francez. Megjithatë, autoritetet hasin pengesa ligjore për të ndërhyrë ndaj gomoneve pasi në to kanë hipur shumë persona.
Emigrantët që ndërmarrin këtë rrugë deklarojnë se luftërat, pasiguria dhe mungesa e perspektivës janë arsyet që i detyrojnë të largohen nga vendet e tyre.
Një prej tyre, Sara nga Eritrea, tha se kishte provuar të kalonte drejt Britanisë së bashku me vajzën e saj 15-vjeçare. Ajo tregoi se familjet në vendin e saj jetojnë vazhdimisht mes frikës dhe pasigurisë.
