Marrëdhënia mes SHBA-së dhe Izraelit, sipas New York Times, është futur në një episod të ri. Gazeta, duke iu referuar burimeve të saj, shkruan se Izraeli kishte hartuar një plan për të eliminuar dy përfaqësuesit iranianë, Abbas Araghchi dhe Mohammad Ghalibaf, në kohën kur po zhvilloheshin negociatat për t’i dhënë fund konfliktit.
Të lidhura
None found
Sipas së njëjtës media, pasi amerikanët mësuan për këtë skenar, ata i dërguan një paralajmërim Teheranit përmes ndërmjetësve. Kjo bëri që Republika Islamike të forconte masat e sigurisë. Gjatë konfliktit, Izraeli kishte shprehur qartë se i konsideronte si objektiva legjitimë figurat e regjimit, nga përfaqësuesit politikë deri te drejtuesit ushtarakë. Deri tani, janë vrarë dhjetëra prej tyre, mes tyre edhe vetë lideri Suprem Ali Khamenei.
Strategjia synonte dobësimin e kundërshtarit, duke e lënë pa figurat më të spikatura përfaqësuese. Më vonë u vendos armëpushimi, të cilit qeveria Netanyahu i ishte kundërvënë, pasi mbetej e vendosur të vijonte sulmet. Pikërisht këtu, sipas New York Times, nisën përplasjet edhe të hapura me Shtëpinë e Bardhë.
Më tej, vijon media prestigjioze, Tel Avivi do të kishte menduar të godiste figurat kryesore të negociatave, me synimin për të ndërprerë dialogun dhe për të rindezur luftën. Në këtë kontekst, kujtohet edhe një precedent i njohur: Hassan Salameh, një zyrtar i lartë palestinez që ishte shndërruar në kanal komunikimi me CIA-n dhe që më pas u vra nga Mossadi në Bejrut në vitin 1979. Shqetësimi u shtua sidomos për takimin e planifikuar në prill në Islamabad, mes zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance dhe delegacionit iranian.
I alarmuar nga situata, Teherani kërkoi garanci sigurie nga Pakistani. Për këtë arsye, avionë luftarakë pakistanezë shoqëruan avionin ku udhëtonin Araghchi dhe Ghalibaf, ndërsa pas përfundimit të bisedimeve, gjatë kthimit, shërbimet e sigurisë morën informacion se dy avionë luftarakë izraelitë po afroheshin nga territori irakian.
