Pas një qëndrimi simbolik treditor në Kastelorizo, ishulli që konsiderohet një nga zonat më të ndjeshme të raportit greko-turk, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis përcolli një mesazh të qartë për Ankaranë. Ai deklaroi se Greqia synon dialogun dhe marrëdhëniet e qeta, por nuk do të tolerojë kërcënime apo vënie në dyshim të të drejtave të saj sovrane.
Të lidhura
None found
Vizita e Mitsotakis në ishullin që ndodhet shumë pranë brigjeve të Turqisë u zhvillua pas një muaji me përshkallëzim të retorikës mes Athinës dhe Ankarasë, raporton korrespondenti i Top Channel, Aleksandër Marku.
“Ne nuk kërcënojmë askënd, por as nuk pranojmë kërcënime apo diktate nga askush. Ju e dini këtë më mirë se kushdo, duke jetuar çdo ditë kaq pranë një vendi me të cilin vetë gjeografia na ka destinuar të bashkëjetojmë”, u shpreh Mitsotakis.
Përplasjet mes dy vendeve, të cilat janë njëkohësisht aleate në NATO dhe rivale, u rikthyen në mesin e gushtit. Në atë periudhë, Turqia shpalli dy “parqe kombëtare detare”, një në pjesën verilindore të Egjeut dhe tjetrin në Mesdheun Lindor, pranë Kastellorizos. Athina i konsideroi këto masa të paligjshme në zonat që, sipas saj, ndodhen jashtë juridiksionit turk dhe brenda shelfit kontinental grek.
Reagimi i Ankarasë vijoi edhe ndaj planeve të Greqisë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Egje. Turqia riktheu në vëmendje pretendimet për të ashtuquajturat “zona gri”, ndërsa të dyja qeveritë shkëmbyen nota diplomatike.
Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan i kërkoi Greqisë të heqë dorë nga militarizimi i disa ishujve të Egjeut dhe e këshilloi Athinën “të mësojë nga historia”. Në Greqi, këto deklarata u panë si shenjë e rikthimit të gjuhës së ashpër të përdorur gjatë viteve të mëparshme.
Gjatë së njëjtës periudhë, autoritetet greke raportuan fluturime pothuajse të përditshme të dronëve turq Bayraktar në Egjeun verilindor. Athina ka rikujtuar zyrtarisht se, në bazë të së Drejtës së Detit, ruan të drejtën për t’i zgjeruar ujërat territoriale deri në 12 milje detare.
Pavarësisht tensioneve, kanalet e komunikimit mes dy vendeve vijojnë të jenë aktive. Qeveria greke përsërit se objektivi i saj është dialogu dhe shmangia e një krize të re me Turqinë.
Gjatë qëndrimit në Kastelorizo, Mitsotakis bëri të ditura edhe masa ekonomike për të nxitur qëndrimin dhe vendosjen e banorëve në ishull. Paketa parashikon 5.000 euro në vit për çdo familje, 1.000 euro shtesë për çdo fëmijë të mitur, si dhe stimuj të veçantë për nëpunësit publikë, ushtarakët dhe pjesëtarët e forcave të sigurisë që shërbejnë atje.
