Mbi 50 milionë fëmijë të zhvendosur nga luftërat dhe trazirat në një dekadë

Gjatë vitit 2023 gati 29 mijë fëmijë në ditë ose u zhvendosën brenda vendit ose u detyruan të iknin në një vend tjetër. Kryesisht fëmijët nga Sudani dhe Somalia.

SHBA- Çmimi që paguajnë fëmijët për trazirat dhe luftërat që shpërthejnë nëpër botë është i rëndë.

Nga viti 2010 e deri më sot, numri i fëmijëve të zhvendosur për shkak të luftërave është dyfishuar, duke kaluar 50 milionë.

Më shumë se dhjetë milionë fëmijë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre vetëm vitin e kaluar, sipas një raporti të Save The Children.

Në total bëhet fjalë për më shumë se 50 milionë fëmijë të zhvendosur, numri më i madh në histori me të dhënat në fakt më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2010, thonë mediat e huaja.

Në vitin 2023 gati 29 mijë fëmijë në ditë ose u zhvendosën brenda vendit ose u detyruan të iknin në një vend tjetër. Shifrat e mësipërme kanë të bëjnë kryesisht me fëmijët nga Sudani dhe Somalia.

“Një fëmijë i zhvendosur ka të ngjarë të ketë përjetuar llojin e dhunës apo edhe shkatërrimin që asnjë fëmijë nuk duhet ta shohë kurrë përpara se të detyrohet të lërë pas gjithçka që di. Kur fëmijët humbasin shtëpinë e tyre, ata humbasin pothuajse gjithçka: aksesin në kujdesin shëndetësor, arsimin, ushqimin dhe sigurinë”, thotë një përfaqësues i Save the Children.

Lufta në Gaza, e cila shpërtheu në fund të vitit 2023, e bëri shkallën e popullsisë së zhvendosur një nga më të lartat në botë në vetëm dhjetë javë.

Save The Children thekson nevojën për mbështetje për fëmijët në mbarë botën dhe thekson se fëmijët kanë nevojë për furnizime jetike, por edhe për siguri, arsim, mbrojtje, shëndet.


Shtuar 19.02.2024 18:53

Tags: ,