Marine Le Pen, figurë kryesore e së djathtës ekstreme në Francë, ka bërë të ditur se do të hyjë në garën për presidente në zgjedhjet e vitit 2027, edhe pse Gjykata e Apelit në Paris e ka shpallur fajtore për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Në një prononcim për mediat franceze, ajo tha se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën e Kasacionit, instanca civile më e lartë në Francë, ndërsa vijon të insistojë se nuk ka kryer asnjë shkelje.
“Nuk mund të bëj fushatë elektorale me një byzylyk elektronik. Do të ndjek çdo rrugë ligjore për të mbrojtur pafajësinë time në këtë çështje”, tha Le Pen.
Më herët gjatë ditës, Gjykata e Apelit në Paris e gjeti fajtore Le Pen për keqpërdorimin e 2.8 milionë eurove nga fondet e Parlamentit Evropian, përmes një skeme të vendeve fiktive të punës. Pavarësisht kësaj, gjykata vendosi që ajo të ketë të drejtë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale, ndonëse do të mbajë një byzylyk elektronik për një vit.
Ky vendim i jep fund edhe hamendësimeve të muajve të fundit se kandidimi i kampit të ekstremit të djathtë mund t’i kalonte presidentit 30-vjeçar të partisë “Tubimi Kombëtar” (Rassemblement National), Jordan Bardella.
Kur u pyet nëse kishte ndonjë mundësi që të tërhiqej nga gara për presidencën, Le Pen dha një përgjigje të prerë: “Jo, nuk ka një skenar të tillë. Sonte jam këtu për t’ju thënë se jam kandidate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027”.
