Me rastin e 28 Nëntorit, kryeministri Albin Kurti ka përcjellë urimet e tij për shqiptarët, duke vënë në dukje rrugën historike që çoi drejt shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një postim të publikuar në Facebook, ai ka përmendur telegramet e shkëmbyera gjatë nëntorit të vitit 1912 mes atdhetarëve dhe qyteteve shqiptare, duke i cilësuar ato si dëshmi të bashkëpunimit në funksion të pavarësisë.
Të lidhura
None found
Mes dokumenteve të veçuara nga Kurti është edhe telegrami i Ismail Qemalit, i nisur nga Vjena më 9 nëntor 1912, ku njoftohej se fati i Shqipërisë ishte siguruar.
Kurti ka rikthyer në vëmendje edhe klimën e vështirë në të cilën u zhvilluan përgatitjet për shpalljen e pavarësisë, në kushtet e kërcënimit nga ushtritë e huaja dhe të përpjekjeve për bashkimin e shqiptarëve.
Sipas kryeministrit, kjo ngjarje nuk ishte vetëm meritë e figurave të njohura historike, por u bë e mundur edhe falë angazhimit të shumë njerëzve të zakonshëm.
“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri, nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën, që një ditë nëntori të shohim atë Flamur të ringrihet pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut”, ka shkruar Kurti.
Mesazhin e tij, kryeministri e ka mbyllur me urimin për festën e 28 Nëntorit.







