Libani nis sulmet me raketa drejt Izraelit/Mbetën të vrarë një grua dhe djali saj!

Një grua 76-vjeçare dhe djali i saj janë vrarë në një fshat në veri të Izraelit nga një raketë e hedhur nga Libani të dielën, njoftuan zyrtarët izraelitë.

Ky sulm ndodhi vetëm disa orë pasi ushtria izraelite tha se i vrau katër militantë të armatosur rëndë, të cilët po tentonin të futeshin vjedhurazi në Izrael nga Libani.

Luftimet mes Izraelit dhe lëvizjes libaneze të mbështetur nga Irani, Hezbollah, janë rritur paralelisht me luftën mbi tremujore të Izraelit kundër Hamasit në Gazë, një grupi tjetër të mbështetur nga Irani.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

 

Raketa antitanke e hedhur në Kfar Yuval, një fshat bujqësor në kufi me Libanin, ra mbi një shtëpi, duke e vrarë nënën dhe djalin e saj 40-vjeçar, tha ushtria izraelite.

 

Një burrë 74-vjeçar u plagos, sipas një zyrtari mjekësor, i cili e përshkroi atë si anëtarë të së njëjtës familje të bujqve.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj janë duke i goditur caqet e Hezbollahut në Liban në shenjë hakmarrjeje.


Shtuar 14.01.2024 17:14