Kremlini ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për paqe, pa praninë e Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shpresën më 25 shkurt se në një samit të liderëve botërorë, i cili do të mbahet në Zvicër në muajt vijues, do të diskutohet vizioni i tij për paqe. Kjo pasi presidentja e Zvicrës, Viola Amherd, ka bërë të ditur se shteti i saj neutral është i gatshëm të jetë nikoqir i një konference për paqe, të nivelit të lartë.

“Shpresoj që [samiti] do të zhvillohet këtë pranverë. Nuk duhet të humbim këtë inciativë diplomatike”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se pret që rezultatet t’i prezantohen më pas Moskës.

Mirëpo zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka quajtur më 26 shkurt këtë si “të çuditshme”.

“Aq sa e kemi kuptuar, çështja në agjendë është e çuditshme, e ashtuquajtura platforma e Gjenevës – një konferencë për të diskutuar planin e Zelenskyt për paqe”.

“Ne e kemi thënë vazhdimisht që ky është aranzhim i çuditshëm, sepse disa plane për paqe janë duke u diskutuar pa pjesëmarrje të Rusisë, dhe kjo gjë në fakt nuk është serioze, është qesharake”, ka thënë Peskov në konferencë për media.

Ndërkohë, rreth 20 liderë perëndimorë dhe zyrtarë të lartë do të diskutojnë në Paris për të riformuar vendosmërinë e Evropës për të përkrahur Ukrainën, teksa lufta ka hyrë në vitin e tretë.

“Ne duam t’i dërgojmë [presidentit rus Vladimir] Putin mesazh shumë të qartë, që ai nuk do të fitojë në Ukrainë”, ka thënë një këshilltar i presidentit francez, Emmanuel Macron para gazetarëve.

Forcat e dërmuara ukrainase janë duke u përballur me vështirësi, për shkak të mungesës së armëve të rënda dhe municioneve, teksa ndihma tejet e nevojshme amerikane është ende e bllokuar në Kongresin amerikan, meqë disa republikanë kundërshtojnë të japin dritën jeshile për pakon në vlerë të 61 miliardë dollarëve, me arsyetimin se duhen masa më të ashpra për migrimin në SHBA.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.


Shtuar 26.02.2024 22:33