Kim Jong Un deklaroi se Koreja e Veriut po ecën përpara me planin për ta pajisur marinën e saj me armë bërthamore, ndërsa media shtetërore raportoi të martën se udhëheqësi synon edhe ndërtimin e anijeve luftarake me kapacitet 10,000 ton.
Sipas agjencisë zyrtare KCNA, këto deklarata ai i bëri të martën në Nampo, gjatë ceremonisë së futjes në shërbim të Choe Hyon, njëra prej dy anijeve luftarake 5,000 tonëshe që Koreja e Veriut i hodhi në ujë vitin e kaluar.
Të lidhura
None found
Gjatë ceremonisë, Kim tha se “programi për pajisjen e Marinës me armë bërthamore po ecën sipas planit pa devijuar nga kursi i planifikuar”.
Sipas tij, kjo përbën një drejtim strategjik me peshë vendimtare, pasi do t’i mundësojë shtetit të mbajë forcat e tij bërthamore të gatshme për të realizuar operacione të ndryshme dhe efikase.
Pheniani kishte bërë të ditur më herët se Choe Hyon është e armatosur me “armët më të fuqishme”, ndërsa gjatë këtij viti Kim ka zhvilluar disa inspektime, mes tyre edhe mbikëqyrjen e një prove në prill për lëshimin e një rakete lundrimi nga kjo anije.
Ai u shpreh se pas Choe Hyon, shumë shpejt do të vihet në punë edhe shkatërruesi Kang Kon. Më tej, sipas tij, do të nisin njëra pas tjetrës anije strategjike luftarake 10,000 tonëshe. Kim deklaroi gjithashtu se Koreja e Veriut do të ndërtojë çdo vit dy anije sipërfaqësore të një klase më të lartë se Choe Hyon, ku njëra prej tyre do të jetë 10,000 tonëshe.
Në përgjithësi, një shkatërrues 10,000 tonësh, si klasa Arleigh-Burke që SHBA-ja e ka në dhjetëra njësi, ose Sejong Le Grand i Koresë së Jugut, ka gjatësi nga 150 deri në 170 metra, afërsisht sa një fushë e gjysmë futbolli.
Profesori i studimeve ushtarake në Universitetin Changji, Choi Gil-il, vlerësoi se pragu prej 10,000 tonësh do të ketë karakter simbolik për Korenë e Veriut. Sipas tij, një anije e tillë do të tregonte vendosmërinë e Phenianit për të mos mbetur pas fuqisë detare të Seulit.
Aktualisht, Koreja e Jugut ka më shumë se dhjetë anije me përmasa mbi 5,000 ton, ndërsa Koreja e Veriut disponon dy të tilla.
Kim Jong Un tha se periudha kur marina e vendit të tij ishte vetëm një forcë e ngarkuar me mbrojtjen e ujërave pranë bregdetit tashmë i përket së shkuarës.
Në një seancë plenare të Partisë së Punëtorëve të Koresë, e cila përfundoi të hënën, ai premtoi rritje të kapaciteteve mbrojtëse të vendit, duke argumentuar se modernizimi ushtarak i Koresë së Jugut dhe i Shteteve të Bashkuara po e çonte rajonin “në prag të luftës bërthamore”.
Pas dështimit të samitit të vitit 2019 mes Kim Jong-un dhe Donald Trump, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me denuklearizimin e vendit dhe heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj tij, Koreja e Veriut e ka përshkruar vazhdimisht veten si një “shtet bërthamor të pakthyeshëm”.
Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut janë ende teknikisht në gjendje lufte, pasi konflikti i viteve 1950-1953 u mbyll me armëpushim dhe jo me traktat paqeje. Dy vendet ndahen nga një zonë e demilitarizuar përgjatë kufirit të tyre.
