Japonia ka kaluar për herë të parë kufirin e 100 mijë njëqindvjeçarëve, në një kohë kur vendi vijon të përballet me plakjen e popullsisë dhe rënien e numrit të lindjeve.
Të lidhura
None found
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se numri i personave 100 vjeç e lart ka arritur në 107,677. Gratë përbëjnë 88% të kësaj shifre.
Personi më i moshuar në Japoni është Kishimoto Fuyo, 114 vjeç, nga Kioto. Në mesin e burrave, rekordin e mban Kato Hikaru, 112 vjeç, nga Kumamoto.
Ministri i Shëndetësisë, Kenichiro Ueno, e përshëndeti rritjen e numrit të njëqindvjeçarëve si një tregues pozitiv. Sipas tij, përparimet në mjekësi dhe teknologji kanë ndikuar që njerëzit të jetojnë për një periudhë më të gjatë.
Megjithatë, Kenichiro Ueno vuri në dukje se plakja e popullsisë po i shkakton vështirësi të mëdha qëndrueshmërisë së sistemit japonez të sigurimeve shoqërore.
Kur autoritetet nisën regjistrimin zyrtar të personave mbi 100 vjeç, në vitin 1963, Japonia kishte vetëm 153 njëqindvjeçarë.
Shifra u rrit në mbi 1,000 persona në vitin 1981 dhe në 10,000 në vitin 1998. Sot, ajo ka arritur në 107,677.
Statistikat bëhen publike pak para festës kombëtare “Respekt për të Moshuarit”. Në këtë ditë, qeveria nderon qytetarët që mbushin 100 vjeç duke u dërguar një letër personale dhe një filxhan tradicional sake.
Jetëgjatësia e lartë në Japoni lidhet nga ekspertët me disa faktorë, përfshirë ushqyerjen dhe aktivitetin fizik.
Dieta tradicionale japoneze bazohet kryesisht te peshku, perimet dhe orizi, ndërsa zakonisht ka më pak yndyrna të ngopura se shumë dieta perëndimore.
Edhe stili aktiv i jetesës ndihmon në ruajtjen e shëndetit. Shumë të moshuar ecin rregullisht, udhëtojnë me transport publik, përdorin biçikletën dhe bëjnë ushtrime shtrirjeje.
Rritja e shpejtë e numrit të të moshuarve ka nxitur edhe krijimin e produkteve e teknologjive të posaçme për ta. Në këtë kategori përfshihen ekzoskeletet e fuqizuara, të cilat lehtësojnë lëvizjen, si dhe pajisjet optike me fokus automatik.
