Tre burra të arrestuar gjatë protestave masive kundër qeverisë në janar janë ekzekutuar me varje nga autoritetet iraniane.
Ekzekutimet u raportuan më 8 nëntor nga mediat shtetërore të Iranit.
Të lidhura
None found
Hassan Deobad, Hamid Kazemi dhe Reza Zanganeh u varën në qytetin e Karajit, pasi Gjykata Supreme konfirmoi dënimet me vdekje ndaj tyre. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim bëri të ditur se ata ishin shpallur fajtorë për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, si dhe për përfshirje në trazirat e armatosura të 8 dhe 9 janarit.
Sipas autoriteteve, tre të dënuarit kishin sulmuar objekte publike dhe qeveritare, ndërsa akuzoheshin gjithashtu për zjarrvënie dhe dëmtim të pronës publike.
Prokuroria pretendonte se ata kishin përdorur armë zjarri, granata dhe kokteje Molotov. Në dosje përfshihej edhe dyshimi se kishin marrë pjesë në shkatërrimin e një nënstacioni elektrik në Karaj, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa zona.
Hassan Deobad u arrestua më 11 janar, nën dyshimin se kishte sulmuar objekte publike dhe kishte nxitur akte dhune. Pas ndalimit të tij, autoritetet arrestuan edhe dhjetë persona të tjerë, të cilët u akuzuan se kishin marrë pjesë në trazirat që, sipas gjyqësorit iranian, drejtoheshin prej tij.
Gjykata Revolucionare e Karajit i dënoi me vdekje tre të pandehurit kryesorë dhe vendosi konfiskimin e pasurive të tyre. Të arrestuarit e tjerë në këtë çështje u dënuan me burgime nga pesë deri në dhjetë vjet.
Vendimi për ekzekutimin u zbatua pasi ankimet e të dënuarve u refuzuan dhe dënimet morën miratimin përfundimtar të Gjykatës Supreme.
Këto ekzekutime janë pjesë e një serie dënimesh me vdekje të kryera në Iran gjatë muajve të fundit ndaj personave të arrestuar në protestat antiqeveritare të janarit.
Autoritetet iraniane i kanë lidhur disa prej këtyre rasteve me akuza për bashkëpunim me SHBA-në dhe Izraelin. Sipas tyre, personat e dënuar ishin përfshirë në veprimtari të organizuara që kërcënonin sigurinë kombëtare.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur vazhdimisht shqetësime lidhur me proceset gjyqësore ndaj të arrestuarve gjatë protestave. Ato kanë denoncuar parregullsi procedurale dhe kanë paralajmëruar se personat që morën pjesë në demonstratat kundër qeverisë mund të përballen me ekzekutimin.
Më 6 nëntor, të premten, organizata HRANA njoftoi se Gjykata Revolucionare në Karaj kishte dënuar me vdekje Hamid Kazemin dhe Hassan Deobadin. Dy ditë më pas, autoritetet konfirmuan ekzekutimin e tyre dhe të Reza Zanganehut.







