Forcat e armatosura të Iranit kanë lëshuar një kërcënim për një “përgjigje të ashpër” ndaj goditjeve izraelite në jug të Libanit, ku të hënën humbën jetën katër persona, edhe pse mediat shtetërore raportuan se ishte shpallur një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Islamike për t’i dhënë fund luftës.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror Irib, komandanti i forcave të armatosura Khattam al-Anbiya paralajmëroi: “Nëse ushtria vrasëse e fëmijëve e regjimit sionist nuk i ndal sulmet e saj në Libanin jugor, ajo duhet të presë një përgjigje të ashpër nga forcat e fuqishme të armatosura të Republikës Islamike të Iranit”.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave që ai paraqiti, Izraeli dyshohet se e ka shkelur armëpushimin në Liban 84 herë që prej shpalljes së marrëveshjes të hënën.
Ndërkohë, Hezbollah deklaroi sot se vlerëson që Teherani nuk do të firmosë një marrëveshje përfundimtare me Uashingtonin në rast se Izraeli nuk tërheq forcat e veta nga Libani. Ky qëndrim erdhi pasi shefi i diplomacisë iraniane kishte paralajmëruar se qëndrimi i vazhdueshëm i ushtrisë izraelite në territorin libanez do të përbënte shkelje të memorandumit mes SHBA-së dhe Iranit.
Pas tre muajsh bombardimesh ajrore dhe operacionesh tokësore kundër Hezbollahut, ushtria izraelite vijon të mbajë nën kontroll zona në jug të Libanit. Kjo situatë pasoi lëshimin e raketave nga grupi libanez drejt territorit izraelit, si hakmarrje për sulmin SHBA-Izrael ndaj Iranit, në të cilin u vra udhëheqësi suprem i Republikës Islamike, Ajatollah Ali Khamenei.
Megjithëse përplasjet në Liban janë zbutur që nga momenti kur SHBA-të dhe Irani arritën një marrëveshje në parim, ato ende nuk kanë pushuar krejtësisht. Nga ana e tij, Izraeli ka bërë të ditur qartë se do të vazhdojë të mbajë trupa në jug të Libanit.
Zyra e shtypit e Hezbollahut bëri të ditur sot se, sipas dijenisë së saj, Irani do ta kushtëzonte raundin e ardhshëm të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara me tërheqjen e trupave izraelite nga Libani. Negociatat e radhës pritet të nisin pas nënshkrimit zyrtar të memorandumit të mirëkuptimit (MoU) të premten.
Këto bisedime do të fokusohen në çështje kyçe, mes tyre edhe e ardhmja e programit bërthamor iranian.
“Ne besojmë se nuk do të ketë marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nëse Izraeli nuk tërheq trupat e tij nga Libani”, deklaroi për Reuters zyra e shtypit e Hezbollahut.
