Një tragjedi ka tronditur shtetin Maharashtra të Indisë, ku një 33-vjeçare dhe djali i saj 6-vjeçar humbën jetën pasi u hodhën nga kati i 18-të i një pallati.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së premtes. Gruaja, e identifikuar si Ekta Bangad, dyshohet se vuante prej disa vitesh nga një sëmundje kronike e shtyllës kurrizore, e cila i kishte shkaktuar probleme të vazhdueshme shëndetësore.
Të lidhura
None found
Gjatë kontrolleve në banesë, policia gjeti një letër të shkruar me dorë, e cila ishte rreth 7-8 faqe e gjatë. Në të, 33-vjeçarja kishte përshkruar arsyet që, sipas saj, e kishin shtyrë drejt këtij akti tragjik.
Letra i drejtohej bashkëshortit të saj, Manoj Bangad, i cili punon si inxhinier në një kompani të teknologjisë së informacionit në Pune.
Sipas raportimeve nga mediat vendase, gruaja i kërkonte të shoqit që pas vdekjes së saj të rimartohej dhe të vazhdonte jetën. Ajo kishte shprehur shqetësimin se djali i tyre do ta përjetonte rëndë mungesën e së ëmës dhe do të pyeste vazhdimisht për vendndodhjen e saj.
Në përmbajtjen e letrës përmendej gjithashtu frika se kujdesi për një fëmijë mund ta bënte më të vështirë rimartesën e bashkëshortit.
Ekta Bangad kishte folur në shkrimin e saj edhe për problemet e gjata shëndetësore dhe vështirësitë e shkaktuara nga sëmundja prej së cilës vuante.
Autoritetet kanë hapur një hetim për ngjarjen dhe po analizojnë letrën, krahas rrethanave që i paraprinë tragjedisë. Hetuesit synojnë të zbardhin plotësisht atë që ndodhi, ndërsa familjarët dhe opinioni publik në Indi kanë mbetur të tronditur.






