Një anije është goditur nga një predhë e paidentifikuar teksa po largohej nga Ngushtica e Hormuzit. Lajmi është konfirmuar nga Agjencia Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO), e cila ndjek situatën e sigurisë për anijet dhe marinarët në mbarë botën.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, flamuri i anijes nuk është përcaktuar ende, ndërsa incidenti ndodhi gjatë kalimit në dalje të ngushticës. Një pjesëtar i ekuipazhit mbeti i plagosur dhe po merr trajtim nga Roja Bregdetare e Omanit.
UKMTO nuk ka dhënë të dhëna për pozicionin e saktë ku ndodhej anija. Omani ndan me Iranin ujërat territoriale të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa ngjarja u regjistrua pak pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-ja do ta “bombardojë pa mëshirë Omanin” nëse ky shtet përfshihet në çështjen e ngushticës gjatë konfliktit me Iranin.
Trumpi i bëri këto komente në një intervistë për gazetarin e Fox News, Trey Yingst, në një kohë kur armëpushimi ndërmjet SHBA-së dhe Iranit pritet të përfundojë. “Nëse Omani na del përpara, do ta bombardojmë pa mëshirë”, deklaroi ai.
Javën e kaluar, Irani bëri të ditur se po negocionte me Omanin për mënyrën e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, e cila përbën një korridor strategjik për transportin detar të naftës.
Në qershor, Shtetet e Bashkuara dhe Irani firmosën një Memorandum Mirëkuptimi për ndalimin e armiqësive dhe nisjen e përpjekjeve drejt një “marrëveshjeje përfundimtare” brenda 60 ditësh. Synimi ishte përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe trajtimi i çështjeve të ndërlikuara, përfshirë programin bërthamor të Teheranit. Megjithatë, afati 60-ditor përfundoi një ditë më parë pa u arritur deri tani ndonjë marrëveshje konkrete.
