Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i Parlamentit të Iranit, do të udhëheqë përfaqësuesit iranianë në negociatat me Shtetet e Bashkuara që po mbahen në Zvicër, sipas raportimeve të mediave iraniane.
Saberin News bën të ditur se Ghalibaf, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin negociues për përfundimin e konfliktit mes Iranit dhe SHBA-së, do të jetë në krye të ekipit të Teheranit në raundin e ardhshëm të takimeve.
Të lidhura
None found
Në përbërje të delegacionit iranian janë edhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi dhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmaeil Baghaei. Po ashtu, ekipi përfshin disa zyrtarë të lartë nga sektorët bankar dhe energjetik, një tregues se çështjet ekonomike dhe ato të naftës do të kenë peshë në diskutime.
Nga ana tjetër, në Zvicër ka mbërritur edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili do të përfaqësojë delegacionin e SHBA-së në këto bisedime.
Ky takim zhvillohet në një periudhë delikate për rajonin, teksa Lindja e Mesme vijon të përballet me tensione të vazhdueshme dhe me përpjekje diplomatike për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës.
