Një krizë e rëndë zjarresh ka përfshirë Francën dhe Spanjën, duke shënuar një nga periudhat më të errëta të regjistruara ndonjëherë në këto vende. Më shumë se 130 mijë qytetarë janë larguar me forcë nga zonat e prekura dhe qeveritë përkatëse kanë bërë thirrje për mbështetje nga ana e Bashkimit Evropian për të vënë nën kontroll flakët.
Të lidhura
None found
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, informoi se 110 mijë banorë janë evakuuar nga rajonet jugperëndimore, ndërsa zjarri ka shkrumbuar tashmë një sipërfaqe prej mbi 14 mijë hektarësh. “Kjo është hera e parë që përballemi me një zjarr të këtyre përmasave”, deklaroi ai, duke shtuar se rreth 50 zjarrfikës mbetën të plagosur gjatë operacioneve të së premtes për shuarjen e flakëve.
Për autoritetet franceze, situata është e pashembullt dhe ato kanë ngritur shqetësimin se zjarri po zhvendoset drejt lindjes, duke rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zonën metropolitane të Bordeaux, aeroporti i së cilës është mbyllur tashmë. Gadishulli i famshëm Cap Ferret, në bregdetin atlantik, një destinacion i dashur pushimesh për francezët dhe për shumë figura të njohura ndërkombëtare, i është nënshtruar një evakuimi total pas alarmit emergjent që u është dërguar të gjithë pushuesve.
Një tablo po aq dramatike po shpaloset edhe në Spanjë, ku janë evakuuar mbi 25 mijë njerëz dhe rreth 20 mijë të tjerë janë detyruar të izolohen. Zyrtarët spanjollë raportuan se po bëjnë çmos për të ndaluar bashkimin e vatrës së zjarrit në Avila me atë që po digjet në zonën e Madridit.
Megjithatë, pasditen e së premtes, dy frontet e zjarrit në perëndim të kryeqytetit spanjoll u bashkuan, duke e rënduar më tej situatën. Autoritetet e cilësojnë gjendjen si shumë të ndërlikuar dhe paralajmërojnë se evakuimet në këto zona do të vazhdojnë pa ndërprerje.
