Një vatër e re zjarri me përmasa të mëdha ka përfshirë pyllin e gjerë të Landes, në jugperëndim të Francës, duke djegur rreth 4 mijë hektarë tokë.
Përballë avancimit të flakëve, autoritetet vendosën largimin e më shumë se 400 banorëve nga zona, si masë parandaluese për sigurinë e tyre.
Të lidhura
None found
Gjendja është cilësuar “e pafavorshme” nga Prefektura e Landes. Erërat e fuqishme dhe luhatjet e drejtimit të tyre po pengojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve për kontrollimin e zjarrit.
Shefi i zjarrfikësve, Romain Moutard, deklaroi se ndryshimi i drejtimit të erës ka bërë që flakët të lëvizin drejt komunës së Luglonit, e cila ndodhet rreth 25 kilometra në veriperëndim të Mont-de-Marsan.
Rreth 400 banorët e Luglonit u larguan nga banesat dhe u strehuan përkohësisht në një qytet të afërt.
Vatra zjarri janë regjistruar edhe në pjesë të tjera të Francës. Në Gerand, në perëndim të vendit, një zjarr është shpallur tashmë “nën kontroll”, ndërsa rreziku i krijuar detyroi rreth 2 mijë kampistë të braktisnin zonën.
Në jug të Rennes, një tjetër zjarr ka përshkuar rreth 2,250 hektarë. Megjithëse situata është stabilizuar, autoritetet bëjnë të ditur se flakët nuk janë vënë ende plotësisht nën kontroll.
Në Pas-de-Calais, vatrat që nisën të mërkurën në një zonë turistike pranë bregdetit verilindor të Francës janë “përmbajtur”. Megjithatë, ato mbeten aktive dhe ende nuk kontrollohen plotësisht.
Këto zjarre pasojnë një periudhë të rëndë për Francën. Vetëm në fund të korrikut, rreth 37 mijë hektarë pyje u shkrumbuan në Landes, ndërsa në zonën fqinje të Gironde një zjarr masiv përfshiu më shumë se 400 mijë hektarë.
