Temperaturat përvëluese që kanë përfshirë pjesën më të madhe të Evropës po shkaktojnë pasoja serioze në disa shtete, ndërsa institucionet përgjegjëse vazhdojnë të paralajmërojnë për rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve.
Në Francë, autoritetet kanë konfirmuar tre viktima të lidhura me problemet shëndetësore të shkaktuara nga nxehtësia ekstreme. Përballë kësaj situate, qeveria është detyruar të ndërhyjë me masa të posaçme, duke mbyllur ose ndryshuar oraret e funksionimit për rreth 2,700 shkolla në mbarë vendin.
Të lidhura
None found
Në Bordeaux, parashikimet tregojnë se temperatura do të kalojë 42 gradë Celsius, ndërsa shërbimi meteorologjik i Francës ka vendosur alarm të kuq në 49 rajone administrative.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, tha se vendi do të përballet edhe për disa ditë me temperatura jashtëzakonisht të larta.
“Po shkojmë drejt të paktën disa ditëve me mot shumë, shumë të nxehtë. Nuk e dimë ende se kur temperaturat do të fillojnë të bien”, deklaroi ajo për mediat franceze.
Në Paris, vapa ka ndryshuar edhe ritmin e zakonshëm të jetës urbane. Në brigjet e Kanalit Saint-Martin në Senë, qindra qytetarë janë grumbulluar për të gjetur pak freski, duke hyrë në ujë ose duke mbajtur këmbët aty për t’u lehtësuar nga temperaturat e larta. Pamja e zonës i ngjante më tepër një plazhi veror sesa një pjese të kryeqytetit francez.
Gjendje shqetësuese paraqitet edhe në Spanjë. Agjencia shtetërore meteorologjike Aemet ka shpallur alarm të kuq për rajonin e Vendit Bask, ndërsa në San Sebastian temperaturat pritet të shkojnë deri në 40 gradë Celsius, gati dyfishi i mesatares sezonale.
Meteorologët raportojnë se në shumë pjesë të Spanjës temperaturat po regjistrohen nga 5 deri në 10 gradë më lart se normalja, ndërsa në disa zona veriore kjo diferencë kalon edhe 10 gradë Celsius.
Edhe orët e natës nuk po sjellin lehtësim. Në disa rajone të vendit, temperaturat nuk bien nën 25 deri në 30 gradë Celsius, duke e bërë dukshëm më të vështirë jetesën e përditshme për qytetarët.
Sipas të dhënave të Reuters Climate Monitor, aktualisht Evropa është kontinenti që po përjeton devijimin më të madh të temperaturave nga mesatarja historike. Mesatarja e temperaturës maksimale në kontinent është rreth 24 gradë Celsius, ose 4.1 gradë mbi mesataren e periudhës 1961-1990.
Megjithatë, ndikimi i kësaj vale të të nxehtit nuk kufizohet vetëm te njerëzit.
Rezervatet e faunës së egër në Evropën Veriore po raportojnë shtim të rasteve të kafshëve të prekura nga temperaturat ekstreme. Në Belgjikë, biologu Romain de Jaeger, themelues i rezervatit të kafshëve të egra CREAVES në Temple, bëri të ditur se shumë zogj po i braktisin foletë për të mbijetuar.
Ai shpjegoi se temperaturat nën çatitë e ndërtesave mund të shkojnë deri në 50 apo 60 gradë Celsius, çka i detyron zogjtë të largohen nga foletë për të shmangur vdekjen nga i nxehti.
“Temperatura në çati ndonjëherë mund të arrijë 50, madje 60 gradë Celsius. Ata preferojnë të kërcejnë nga foletë sesa të vdesin nga i nxehti”, u shpreh ai.
Vetëm në tre ditët e fundit, qendra e strehimit për kafshët e egra në Belgjikë ka pranuar rreth 150 kafshë të prekura nga vala e të nxehtit.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, duke mbajtur në gatishmëri autoritetet dhe shërbimet e emergjencës në të gjithë Evropën.
