Qindra mijëra turistë po mbërrijnë në Europë për të ndjekur eklipsin e parë total diellor të dukshëm nga kontinenti gjatë këtij shekulli, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të akomodimit në disa prej destinacioneve kryesore.
Të lidhura
None found
Reykjaviku është ndër qytetet ku shtrenjtimi ka qenë më i theksuar. Kryeqyteti islandez bën pjesë në numrin e kufizuar të vendeve ku eklipsi i plotë mund të shihet të mërkurën, përpara perëndimit të diellit.
Të dhënat e Lighthouse Intelligence, grupi që analizon sektorët e udhëtimeve dhe mikpritjes, tregojnë se vizitorët kanë paguar mesatarisht 793 dollarë (587 paund) për një dhomë hoteli në Reykjavik gjatë natës së së mërkurës. Në raport me të njëjtën ditë të vitit të kaluar, kjo është një rritje prej 98%.
Spanja pritet të përjetojë gjithashtu një numër të madh mbërritjesh, pasi cilësohet si një prej pikave më të përshtatshme në Europë për vëzhgimin e eklipsit total. Ministria spanjolle e Financave bëri të ditur të hënën se rreth 460,000 turistë të huaj pritet të udhëtojnë drejt vendit posaçërisht për këtë fenomen.
Në A Coruna, në veriperëndim të Spanjës, tarifa mesatare për një dhomë hoteli ka shkuar në 451 dollarë, ose 135% më shumë se një vit më parë. Në Majorka, ku eklipsi pritet të shihet pranë horizontit në momentin e perëndimit të diellit, çmimet janë rritur me 24%, duke arritur në rreth 448 dollarë.
Edhe Santiago de Compostela dhe Bilbao kanë shënuar rritje të konsiderueshme të tarifave, përkatësisht 34% dhe 67% për dhomat e hoteleve.
Ndërkohë, hotelet dhe strukturat e tjera të akomodimit në qytetet e vogla dhe fshatrat që ndodhen përgjatë trajektores së eklipsit janë prenotuar prej muajsh. Interes të madh kanë ngjallur edhe pikat e përkohshme të vëzhgimit të krijuara nga entuziastët vendas.
Disa udhëtarë nga Shtetet e Bashkuara, sipas raportimeve, u janë drejtuar platformave të shkëmbimit të shtëpive për të siguruar qëndrimin në Castilla y León, një prej rajoneve spanjolle me kushtet më të favorshme për të parë eklipsin.
Numri i lartë i vizitorëve ka shtuar shqetësimet e autoriteteve spanjolle lidhur me mundësinë e zjarreve në pyje. Policia llogarit se gjatë së mërkurës do të ketë rreth 1.5 milionë udhëtime shtesë me automjete.
Autoritetet kanë paralajmëruar se thatësira e pazakontë e bën terrenin veçanërisht të rrezikuar, pasi edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë zjarre të mëdha. Trafiku i rënduar mund të vështirësojë gjithashtu mbërritjen e mjeteve të emergjencës në zonat rurale.
Për menaxhimin e situatës, Spanja ka hartuar një operacion të gjerë sigurie, në të cilin do të marrin pjesë rreth 35,000 efektivë policie.
