Sistemi shëndetësor iranian po vihet nën presion gjithnjë e më të madh nga sanksionet amerikane, inflacioni i lartë dhe vështirësitë ekonomike. Një analizë e CNN tregon se mungesa e barnave dhe shtrenjtimi i tyre po i shtyjnë disa pacientë të reduktojnë dozat, të shtyjnë trajtimet ose të zgjedhin alternativa me kosto më të ulët.
Të lidhura
None found
Në farmacitë e Teheranit është raportuar mungesë e disa llojeve të medikamenteve, krahas rritjes së ndjeshme të çmimeve. Vështirësitë përfshijnë barna kundër sëmundjeve të zemrës, diabetit, kancerit dhe migrenës, si edhe medikamente për trajtime të tjera.
Kostot e larta po i vënë pacientët me sëmundje të rënda përballë vendimeve të vështira, sipas CNN. Disa kanë shitur pajisje shtëpiake, ndërsa të tjerë u janë drejtuar të afërmve jashtë vendit për t’u siguruar ilaçet që nuk gjenden në Iran.
Edhe pse Irani prodhon, sipas vëllimit, më shumë se 97% të barnave që përdor, vendi nuk ka arritur vetë-mjaftueshmëri të plotë. Prodhimi farmaceutik iranian vazhdon të mbështetet te materialet, pajisjet dhe teknologjitë e importuara, ndërkohë që disa medikamente të specializuara duhet të blihen nga jashtë.
Financimi dhe importi i këtyre produkteve janë vështirësuar nga sanksionet e SHBA-së. Për shkak të rrezikut që lidhet me masat ndëshkuese, shumë banka dhe kompani të huaja zgjedhin të mos kryejnë transaksione me Iranin.
Një tjetër faktor që po e thellon krizën janë detyrimet e papaguara të kompanive të sigurimeve. Shoqata e Farmacistëve të Iranit thotë se mbi 18 mijë farmaci private janë në pritje të pagesave, ndërsa borxhi arrin në rreth 800 trilionë rialë. Si pasojë, farmacitë kanë më pak kapacitete për të rinovuar rezervat, duke shkaktuar probleme në të gjithë zinxhirin, nga importuesit dhe prodhuesit deri te pacientët.
Autoritetet iraniane deklarojnë se sulmet ajrore amerikane dhe izraelite në fillim të vitit dëmtuan më shumë se 40 kompani farmaceutike, distributorë dhe furnizues të pajisjeve. Mes objekteve të goditura ishte një fabrikë ku prodhoheshin përbërës për ilaçe kundër kancerit dhe anestetikë. Dëme pësoi edhe Instituti Pasteur në Iran, përfshirë laboratorë me rëndësi për monitorimin dhe trajtimin e disa sëmundjeve.
Administrata amerikane i ka ashpërsuar më tej masat ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër rrjetet financiare dhe tregtare që përdoren nga Teherani për anashkalimin e sanksioneve. Në parim, SHBA-ja e lejon tregtinë e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore me Iranin, por kontrollet e shtuara dhe procedurat financiare kanë bërë që bankat dhe kompanitë ndërkombëtare të veprojnë me më shumë kujdes.
Ekspertët e cituar nga CNN vlerësojnë se furnizimi me medikamente po bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak të ndërthurjes së sanksioneve, mungesës së valutës së huaj, inflacionit, borxheve të sigurimeve dhe dëmtimit të infrastrukturës. Për pacientët në Iran, ndikimi më i drejtpërdrejtë shfaqet te kostot më të larta dhe pasiguria nëse do të mund t’i gjejnë trajtimet që u nevojiten.
