Barcelona ka vendosur një rekord të ri historik për temperaturat e larta, pasi sipas shërbimeve rajonale të meteorologjisë, termometri shënoi 40.5 gradë Celsius.
Të lidhura
None found
Kjo vlerë tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 40 gradësh Celsius, i cili ishte regjistruar në korrik të vitit 2024.
Sipas meteorologëve, Barcelona zakonisht ndikohet nga afërsia me detin, që zakonisht ndihmon në zbutjen e temperaturave të larta. Por vala e të nxehtit që ka përfshirë Spanjën ka bërë që edhe zonat bregdetare të përballen me temperatura ekstreme.
Në aeroportin e Barcelonës, që ndodhet pranë detit, temperatura arriti në 37.7 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 37.4 gradësh të regjistruar në vitin 2010.
Shërbimi meteorologjik spanjoll bëri të ditur se temperaturat e regjistruara në dy stacionet meteorologjike të qytetit janë vlerat më të larta të shënuara ndonjëherë në Barcelonë.
Prej disa ditësh, Spanja po përballet me një valë të re të nxehti, e cila ka goditur në veçanti pjesën verilindore të vendit, përfshirë rajonin e Katalonjës ku ndodhet Barcelona.
Në disa zona pranë qytetit, autoritetet kanë vendosur nivelin më të lartë të alarmit, duke paralajmëruar për rrezik ekstrem për shëndetin e qytetarëve, sidomos për grupet më të ndjeshme.
Vala e të nxehtit, me temperatura rreth 40 gradë Celsius në shumë qytete të Spanjës, pritet të vijojë edhe në ditët në vijim. Meteorologët kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezik shumë të lartë zjarresh për shkak të thatësirës dhe temperaturave ekstreme.
Kjo është vala e dytë e madhe e të nxehtit që ka goditur Spanjën gjatë këtij sezoni veror. Sipas të dhënave meteorologjike, muaji qershor i këtij viti ishte ndër muajt më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin e zgjatur në diell, të konsumojnë më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë gjatë orëve kur temperaturat janë më të larta.
Ekspertët theksojnë se valët ekstreme të të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Evropë dhe po sjellin pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin, mjedisin dhe sigurinë publike.
