Avokatja zbulon bisedën me Navalny-n disa muaj para vdekjes: Nuk dua të jem paranojak, por mendoj se ata po përpiqen të më helmojnë

Avokatja e Navalny, Olga Mikhailova ka zbardhur detaje të reja në lidhje me vdekjen e liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny. Mësohet se Navalny para se të ndërronte jetë i kishte rrëfyer asaj se po tentonin ta helmonin. Avokatja tha se kur ajo e vizitoi atë në prill të vitit 2023 i kishte thënë se po përpiqeshin ta helmonin.

“Dëgjo, nuk dua të jem paranojak, por mendoj se ata po përpiqen të më helmojnë,” i ka thënë Navalny avokates.

Avokatja tha se menjëherë pasi ai i tha këto dyshime ajo e postoi akuzën në “X” dhe bëri disa ankesa zyrtare. Mikhailova tha se ajo dhe pjesa tjetër e ekipit ligjor të Navalny ishin të shqetësuar për shëndetin e tij në paraburgim.

Ajo theksoi se hera e parë që e pa siç duhet atë ballë për ballë pas burgosjes së tij ishte në seancat gjyqësore në vitin 2023 dhe se ishte “tmerruar” nga pamja e tij. Ajo pohoi se gjatë qëndrimit në burg, Navalny nuk ushqehej siç duhet, nuk u lejua të flinte. Për shkak të kushteve të jetesës shëndeti i Navalny u përkeqësua dhe në një moment ai hyri në grevë urie për ankesat se nuk po i jepej trajtim mjekësor.

Kur Shërbimi Federal i Burgjeve të Rusisë njoftoi vdekjen e Navalny u tha se ai u ndje mirë pasi bëri një shëtitje dhe pothuajse menjëherë humbi vetëdijen. Më vonë u pretendua se ai vdiq për shkaqe natyrale. Udhëheqësit perëndimorë, përfshirë presidentin Joe Biden, kanë akuzuar Vladimir Putinin se qëndron pas vdekjes së Navalny.


Shtuar 10.03.2024 18:52