Një avion Boeing 737 i American Airlines u detyrua të kryente ulje emergjente në SHBA, pasi gjatë ngritjes nga Myrtle Beach, në Karolinën e Jugut, u përplas me zogj dhe njëri prej motorëve u përfshi nga flakët.
Ngjarja u regjistrua të hënën në fluturimin 1760, i cili po udhëtonte drejt Charlotte, në Karolinën e Veriut. Në bordin e avionit ndodheshin 181 persona.
Të lidhura
None found
Sipas CNN, vetëm pak çaste pas ngritjes, piloti njoftoi kullën e kontrollit për defektin në motor, duke dërguar edhe një sinjal shqetësimi. Në regjistrimin audio të komunikimeve me kontrollin e trafikut ajror, kapiteni dëgjohet duke thënë: “Kemi një problem me motorin”.
Një tjetër pilot, i cili e pa incidentin, raportoi përmes radios se Boeing-u ishte përplasur me zogj. Sipas tij, zogjtë dukej se kishin goditur motorin e majtë.
Patrick Gottwald, një prej pasagjerëve të fluturimit, filmoi momentin kur nga motori dilnin flakë, ndërsa avioni vijonte të qëndronte në ajër dhe fluturonte mbi det.
Më pas, Boeing-u nisi manovrën e kthimit drejt aeroportit, ndërkohë që ekipet e emergjencës në tokë ishin vënë tashmë në gatishmëri. Avioni u rikthye në aeroportin e Myrtle Beach dhe arriti të ulej pa probleme.
