Ramón Ángel Álvarez Ayala, i njohur si “El R1” dhe një prej drejtuesve të Kartelit Jalisco New Generation, është arrestuar nga autoritetet meksikane. Ai dyshohet se ka dhënë urdhrin për dy vrasje që kanë shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik të Meksikës.
Të lidhura
None found
Forcat speciale zhvilluan operacionin të enjten në shtetin Jalisco. Gjatë aksionit mbeti i vrarë një prej anëtarëve të grupit të sigurisë së të dyshuarit.

Sekretari federal i Sigurisë, Omar García Harfuch, e cilësoi arrestimin si një goditje të rëndësishme ndaj një prej organizatave kriminale më të dhunshme në vend.
Autoritetet bëjnë me dije se “El R1”, i cili kishte dalë nga burgu në vitin 2022, dyshohet për organizimin e disa episodeve të rënda të dhunës në rajon.

Një prej çështjeve që lidhet me të është vrasja e influencerses 23-vjeçare Valeria Márquez. Ajo u qëllua për vdekje në maj të vitit të kaluar, teksa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok nga salloni i saj i bukurisë në Zapopan, në Jalisco.
Sipas dosjes hetimore, autori i maskuar si korrier hyri në sallon, i kërkoi Márquez-it të identifikohej dhe më pas e qëlloi dy herë me armë. Pamjet e vrasjes u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Prokuroria dyshon se influencerja kishte qenë në një marrëdhënie romantike me Francisco Álvarez, një nga djemtë e “El R1”. Hetuesit thonë se ai e kishte kërcënuar disa herë 23-vjeçaren dhe më pas i ishte drejtuar të atit për të organizuar vrasjen e saj. Francisco Álvarez dhe personi që dyshohet se kreu ekzekutimin janë ende në arrati.

Emri i “El R1” është lidhur gjithashtu me vrasjen e Carlos Manzo, kryebashkiakut të qytetit Uruapan, i cili u vra në nëntor gjatë aktiviteteve tradicionale për Ditën e të Vdekurve.
Manzo po merrte pjesë në një aktivitet publik së bashku me familjen kur një adoleshent iu afrua nga pas dhe e qëlloi disa herë. Truprojat e kryebashkiakut e vranë atentatorin në vend, ndërsa Manzo ndërroi jetë në spital.

Karteli Jalisco New Generation renditet mes organizatave kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme të Meksikës. Organizata akuzohet për trafikimin e fentanilit, metamfetaminës dhe kokainës, si dhe për zhvatjen e bizneseve lokale. Administrata amerikane e ka klasifikuar atë si organizatë të huaj terroriste.
Arrestimi u krye pas disa muajsh hetime dhe një pune intensive të strukturave të inteligjencës. Aksioni përfshiu edhe një ndjekje me automjete në qytetin Atotonilco el Alto. Autoritetet meksikane nuk kanë sqaruar nëse Shtetet e Bashkuara kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në operacion.
Ambasadori amerikan në Meksikë, Ronald Johnson, ishte ndër të parët që reagoi pas arrestimit. Ai deklaroi se “ata që gjenerojnë dhunë dhe trafikojnë fentanil do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”.
