Gjykata e Lartë e Arabisë Saudite ka anuluar dënimin me vdekje të Anojan Sivarasës, një punëtor emigrant 27-vjeçar nga Sri Lanka. Ai ishte shpallur fajtor për një koment në Facebook, të cilin autoritetet saudite e cilësuan fyes ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed.
Të lidhura
None found
Lajmin e konfirmoi zëvendësministri i Jashtëm i Sri Lankës, Arun Hemachandra. Në një postim në Facebook, ai shprehu mirënjohje për autoritetet dhe ekipet ligjore të të dyja vendeve për angazhimin e tyre. Rasti shkaktoi reagime të forta në Sri Lanka dhe nxiti përpjekje diplomatike për faljen e Sivarasës.
Në shtator, një gjykatë apeli saudite e kishte dënuar 27-vjeçarin me vdekje, pasi e shpalli fajtor për blasfemi ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed.
Ngjarja nisi pas një debati në rrjetet sociale, në fund të qershorit. Diskutimi u përhap pasi në internet qarkulluan pamje ku një i ri mysliman godiste me shkelma një qen, pas një grupi pelegrinësh hindu.
Videoja shkaktoi përplasje virtuale me përmbajtje fetare. Në debat, një përdorues publikoi komente përçmuese ndaj një hyjnie hindu, ndërsa Sivarasa shkroi në gjuhën tamile një koment fyes për Profetin Muhamed.
Sipas raportimeve, ai e hoqi komentin pak kohë më pas dhe publikoi një video përmes së cilës kërkonte falje. Megjithatë, një fotografi e komentit iu dërgua punëdhënësit të tij dhe autoriteteve saudite. Sivarasa u arrestua në korrik.
Fillimisht, Gjykata Penale e Al-Ahsa-s i kishte caktuar pesë vjet burg dhe një gjobë prej tre milionë rialësh sauditë, që kapin vlerën e rreth 800 mijë dollarëve. Në apel, dënimi u ashpërsua dhe u zëvendësua me dënim me vdekje.
Pas anulimit të këtij dënimi, mbetet e paqartë nëse do të ketë procedura të tjera ligjore ndaj tij, nëse ai do të vazhdojë të jetë në paraburgim dhe sa kohë mund të qëndrojë në burg.
Ligjvënësi nga Sri Lanka, Faizer Mustafa, i cili ka marrë pjesë në negociatat ligjore me Arabinë Saudite, konfirmoi për BBC Sinhala se vendimi për ekzekutimin është rrëzuar. Sipas tij, po shqyrtohet vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për të përcaktuar hapat e radhës.
Familja e Sivarasës kishte bërë të ditur më herët se nuk kishte komunikuar drejtpërdrejt me të që prej 28 shtatorit, çka kishte shtuar shqetësimin për gjendjen e tij.
Rasti mori vëmendje edhe nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat i kërkuan Arabisë Saudite të mos e ekzekutonte të riun.
Joey Shea, studiuesja e lartë për Arabinë Saudite në Human Rights Watch, kishte kritikuar zbatimin e ligjeve që parashikojnë ndëshkime të rënda për deklarata në internet. Ajo vuri në dukje veçanërisht cenueshmërinë e punëtorëve emigrantë dhe mbrojtjen e kufizuar që ata kanë.
“Autoritetet saudite duhet t’i japin fund përdorimit të ligjeve abuzive për të dhënë dënime ekstreme për vepra që lidhen me shprehjen e mendimit, veçanërisht ndaj punëtorëve emigrantë”, ishte apeli i saj.






