Një aksident tragjik rrugor në Afrikën e Jugut u mori jetën të paktën 21 personave, pasi dy minibusë u përplasën kokë më kokë dhe një automjet i tretë u përplas më pas me mbetjet e tyre.
Të lidhura
None found
Përplasja ndodhi në autostradën N1, në segmentin ndërmjet qyteteve Prince Albert dhe Leeu-Gamka, në provincën Western Cape, rreth 380 kilometra në lindje të Cape Town.
Autoritetet bëjnë të ditur se në aksident u përfshinë dy minibusë të markës Toyota dhe një SUV Suzuki. Fillimisht, dy minibusët u përplasën ballë për ballë, ndërsa SUV-i goditi automjetet e dëmtuara pak më vonë.

Bilanci fillestar ishte 18 persona të vdekur në vendngjarje. Tre të plagosur rëndë humbën jetën më pas në spital, ndërsa katër persona të tjerë mbetën me dëmtime serioze.
Fotot dhe pamjet nga vendi i ngjarjes pasqyrojnë përmasat e përplasjes, me automjetet të shkatërruara dhe pjesë të tyre të shpërndara në një hapësirë të gjerë të rrugës.

Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe ka regjistruar një çështje për vrasje të paqëllimshme. Deri tani, nuk është bërë e ditur se çfarë solli përplasjen ballore mes dy minibusëve.
Minibusët përbëjnë një nga format kryesore të transportit publik në Afrikën e Jugut, por shpesh lidhen edhe me aksidente të rënda rrugore.
Aksidenti ishte një nga dy ngjarjet e rënda rrugore të shënuara në vend gjatë fundjavës. Një përplasje tjetër pranë Ermelos, në provincën Mpumalanga, shkaktoi tetë viktima, duke e çuar në të paktën 29 numrin e personave që humbën jetën në të dyja aksidentet.
