Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi në Parlamentin Evropian takime me eurodeputetin Marco Tarquinio, kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Shqipërinë, si edhe me Konstantinos Arvanitis, raporter për shtetin e së drejtës.
Gjatë këtyre takimeve, Blushi paraqiti shqetësimet e tij lidhur me klimën politike në Shqipëri, funksionimin e shtetit ligjor dhe shkallën e korrupsionit, teksa akuzoi qeverinë për keqqeverisje dhe kontroll mbi institucionet.
Të lidhura
None found
Sipas tij, pasojat e kësaj keqqeverisjeje kanë sjellë largimin masiv të të rinjve, duke e renditur Shqipërinë mes vendeve më të goditura nga shpopullimi në rajon.
“Korrupsioni dhe kriminalizimi i shtetit kanë shpopulluar Shqipërinë më shumë se çdo vend tjetër në rajon. Kjo është edhe arsyeja pse të rinjtë janë ngritur në protesta masive, duke kërkuar largimin e panegociueshëm të Edi Ramës”, u shpreh ai.
Blushi deklaroi gjithashtu se korrupsioni ka goditur rëndë shtetin e së drejtës dhe se reforma në drejtësi, sipas vlerësimit të tij, ka dështuar në përballjen me këtë fenomen.
Si provë për këtë, ai përmendi raportin e Transparency International, duke nënvizuar se Shqipëria është renditur 11 vende më poshtë se një vit më parë.
“Krahas rritjes së numrit të arrestimeve është rritur edhe korrupsioni. Pandëshkueshmëria është kthyer në sistem”, deklaroi Blushi.
Më tej, ai hodhi akuza se institucionet e drejtësisë po përdoren politikisht, duke u ndalur veçanërisht te rasti i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Drejtësia e re po përdoret politikisht. Ilir Meta mbahet në paraburgim prej dy vitesh, pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt penal kundër tij. Kjo situatë të kujton rrëmbimin e Aldo Moros”, tha Blushi.
Në përmbyllje, Blushi theksoi se Shqipëria nuk mund të përparojë në rrugën e integrimit evropian pa garantuar shtetin e së drejtës dhe pa respektuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Pasojat dramatike të keqqeverisjes së Edi Ramës kanë shpopulluar vendin nga të rinjtë.
Korrupsioni dhe kriminalizimi i shtetit kanë shpopulluar Shqipërinë si asnjë vend tjetër në rajon.
Kjo është arsyeja pse të rinjtë sot janë ngritur në protesta masive për largimin e panegociueshëm të Edi Ramës.
Korrupsioni ka shkatërruar shtetin ligjor. Reforma në drejtësi dështoi të luftojë korrupsionin. Tregues është raporti i Transparency International që e rendit Shqipërinë 11 vende më poshtë se një vit më parë.
Progresivisht, me rritjen e numrit të arrestimeve është rritur edhe korrupsioni. Pandëshkueshmëria është kthyer në sistem.
Drejtësia e re po përdoret politikisht. Presidenti Meta është mbajtur prej 2 vitesh në paraburgim, një skenë që të kujtonte rrëmbimin e Aldo Moros.
Meta ndodhet në paraburgim pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt penal kundër tij.
Nuk mund të ketë integrim në Bashkimin Evropian pa një shtet të së drejtës dhe pa respektimin e Konventës Evropiane”, tha ndër të tjera Blushi.
