Aleksandër Biberaj, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të saj, e ka cilësuar protestën e studentëve si një revolucion dhe u ka bërë thirrje pedagogëve, intelektualëve dhe qytetarëve që të mbështesin të rinjtë.
Gjatë një interviste në studion e News24, Biberaj tha se studentët duhet të kenë përkrahje në qëndresën e tyre, ndërsa paralajmëroi se përfshirja e partive politike mund ta dëmtojë dhe përçajë lëvizjen. Ai solli në vëmendje edhe protestën e vitit 2018, e cila, sipas tij, nuk i përmbushi objektivat për shkak të ndarjeve të brendshme.
Të lidhura
None found
“Ajo që po ndodh është një revolucion dhe është kënaqësi të jesh pjesë e tij. Kjo është një detyrë ndaj vendit dhe shoqërisë, madje për ne përgjegjësia është edhe më e madhe, pasi bëhet fjalë për studentët dhe fëmijët tanë. Ata duhet të mbështeten dhe ndaj këtij rasti u bëj thirrje pedagogëve, intelektualëve, familjarëve dhe studentëve që t’i qëndrojnë pranë, në mënyrë që kërkesat e tyre të realizohen.
Në takimet që kemi zhvilluar me profesorë në nivele të ndryshme, të gjithë kanë qenë dakord me këtë qëndrim. Nuk kemi hasur asnjë pedagog që të ketë shfaqur rezerva. Shqetësimi i vetëm i profesoratit dhe studentëve është që partitë politike të mos ndërhyjnë për të përfituar dhe të mos e ndajnë këtë lëvizje, pasi edhe protesta e vitit 2018 u përça dhe nuk arriti qëllimet e saj”, deklaroi Biberaj.
Duke folur për situatën në Partinë Demokratike, ai pranoi se demokracia e brendshme në këtë forcë politike ka ardhur duke u dobësuar. Sipas tij, PD-ja ndodhet aktualisht në pikën më të ulët të saj që prej themelimit.
Si faktorë që kanë ndikuar në këtë përkeqësim, Biberaj renditi tragjedinë e Gërdecit, ngjarjet e 21 janarit 2011, koalicionin e PD-së me LSI-në në vitin 2009 dhe mungesën e konkurrencës brenda partisë. Ai e konsideroi zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të saj një fatkeqësi për demokratët, ndërsa për rikthimin e Sali Berishës tha se, pavarësisht mbështetjes së dhënë, nuk doli të ishte zgjidhja më e mirë.
“Partia Demokratike e nisi rrugëtimin e saj si një forcë me demokraci të brendshme, por kjo demokraci fatkeqësisht ka ardhur duke u zbehur. Gërdeci, 21 janari, marrëveshja e vitit 2009 me LSI-në dhe mungesa e konkurrencës kanë qenë momente që shënuan degradimin e saj. Emërimi i Lulzim Bashës ishte një fatkeqësi për Partinë Demokratike. Më pas u rikthye doktori, me premtime, dhe ne e mbështetëm, por rezultoi se nuk ishte zgjidhja më e mirë. Mendoj se sot partia është në nivelin më të ulët të kuotave të saj politike që nga themelimi”, u shpreh ai.
Ish-deputeti kritikoi gjithashtu bojkotin e reformës territoriale, mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të vitit 2019 dhe dorëzimin e mandateve parlamentare nga opozita. Ai i cilësoi këto vendime si “vetëvrasje politike”.
Biberaj vlerësoi veçanërisht qeverisjet e para të Partisë Demokratike, duke veçuar periudhën 2005–2009. Megjithatë, ai theksoi se Gërdeci dhe bashkëqeverisja me LSI-në përbënë kthesa të pafavorshme për partinë. Ndërsa për qeverisjen e Edi Ramës, përdori kritika të forta dhe e cilësoi atë si më të keqen në historinë e Shqipërisë.
“Qeverisja e PD-së në vitet 1992–1996 ka qenë më e mira që ka njohur vendi. Pas saj vjen qeverisja e viteve 2005–2009, gjatë mandatit të parë të Berishës, e cila u ndërpre nga tragjedia e Gërdecit. Pas asaj ngjarjeje dihet se si vijuan zhvillimet në Shqipëri. Edhe koalicioni i vitit 2009 me LSI-në ishte një tjetër vetëvrasje politike.
Qeverisja e Edi Ramës, nga viti 2013 e deri tani, është më e keqja që ka pasur Shqipëria, madje edhe më e keqe se qeverisja komuniste. Krimi, korrupsioni, politizimi i plotë i administratës publike dhe skandalet e shumta do të mjaftonin për të rrëzuar çdo qeveri. Ajo nuk ka rënë sepse përballë saj ka qenë një opozitë e dobët”, deklaroi Biberaj.
Sipas tij, opozita duhet të rikthehet në rolin e një alternative reale qeverisëse dhe të një institucioni moral. Ai argumentoi se, përballë skandaleve të shumta të qeverisë, opozita duhej të kishte mobilizuar në protesta dhjetëra mijëra qytetarë.
Biberaj sqaroi se përkrahja e protestës studentore buron nga bindjet e tij si qytetar dhe profesor universiteti, dhe nuk lidhet me pozicionin e tij në PD. Ai tha se mbetet anëtar i kësaj partie, ku ka ndërtuar karrierën politike dhe ka dhënë kontributin e tij, por kjo nuk e pengon të jetë kritik ndaj drejtimit të saj.
“Protestën e studentëve e mbështes si qytetar i këtij vendi dhe si profesor universiteti. Partia Demokratike është një çështje tjetër. Ajo është partia ku kam zhvilluar karrierën politike, kam kontribuar dhe ndaj së cilës kam qenë shumë kritik. Janë dy linja të ndryshme”, tha ai.
Në përfundim, ish-deputeti kërkoi një reformim të thellë të Partisë Demokratike, ndryshimin e elitave dhe vendosjen e konkurrencës së vërtetë në strukturat e saj. Ai vlerësoi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të domosdoshme që partia të rifitojë besimin dhe të kapërcejë krizën në të cilën ndodhet.







