BE njeh certifikatat e Maqedonisë së Veriut për Covid-19

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka njoftuar se Bashkimi Evropian do të njoh certifikatat dixhitale të Maqedonisë së Veriut për Covid-19.

“Komisioni Evropian sot solli vendim, me të cilin garantohet se certifikatat për COVID-19 të lëshuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut do të konsiderohen ekuivalente me Certifikatën Dixhitale të BE-së për COVID-19. Kjo do të thotë që vendi ynë do të jetë i lidhur me sistemin e BE-së dhe se certifikata për COVID-19 e lëshuar nga autoritetet tona do të pranohet në BE nën të njëjtat kushte si Certifikata Digjitale e BE-së”, ka shkruar Osmani.
Osmani thotë se vetëm qytetarëve të kanë marrë vaksina të miratuara nga BE do të mund t’i shmangen kufizimeve të mundshme për udhëtim.
“Në këtë mënyrë qytetarët tanë do t’i shmangin kufizimet e udhëtimit si testimet shtesë ose karantina. Në rastet e domosdoshme, siç është mbrojtja e shëndetit publik, vendet anëtare mund të ndërmarrin masa shtesë. Falë këtij vendimi do të hiqen kufizimet e udhëtimit për njerëzit që i kanë marrë vaksinat kundër Covid-19, të miratuara nga BE-ja”, ka shkruar Osmani.

Në vendin tonë aktualisht jepen vetëm certifikata dixhitale CommonPass, që përdoret në SHBA dhe Kanada, ndërkaq autoritetet shëndetësore theksojnë se janë në përgatitje për integrim në certifikatën evropiane GreenPass. Maqedonia e Veriut përveç Pfizer dhe AstraZeneca, vaksina të miratuara nga BE, ka aplikuar edhe vaksina kineze dhe ruse, të cilat nuk njihen nga BE.


Shtuar 19.08.2021 18:51