Kryedemokrati Lulzim Basha i ftuar në studion e Radarit Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu është shprehur i bindur se PD ka vetëm një dhe jo dy kuvende kombëtare. Basha deklaroi se Kuvendi do të mbahet në datën 18 Dhjetor bazuar në statutin e partisë, duke shtuar se nuk mund të ketë as statute dhe as Kuvende paralele.
“Dua ta shpjegoj për qytetarët që PD vepron në bazë të disa rregullave si një parti demokratike. Nuk ka parti paralele, një PD këtu dhe një PD ku t’i teket dikujt tjetër. Nuk ka statute apo Kuvende paralele. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me 11 Dhjetor se PD e ka Kuvendin me 18 Dhjetor. Strukturat e PD kanë qenë gati duke pritur dorëzimin e kërkesave. Nuk ka ndodhur. Dhe për t’iu përgjigjur interesit qoftë edhe të 5 demokratëve se nuk e dimë sa janë se janë të mbyllur në kasafortë, vendosëm thirrjen e Kuvendit me 18 Dhjetor.
Unë vij sot nga takime me dhjetëra demokratë që i kam të përditshme. Unë konsideroj edhe zërin e një demokrati të vetëm. E rëndësishme është të kuptohet që vullneti politik i demokratëve kanalizohet përmes statutit nga vota e tyre. Kjo ka ndodhur sa herë kemi pasur Kuvende dhe do të ndodhë edhe më 18 Dhjetor”, tha Basha.
Basha tha se Berisha po përpiqet ta instrumentalizojë Partisë Demokratike në emër të interesave të tij personale.
“Shqiptarët sot masivisht dynden drejt Europës për cilësinë e jetës dhe pavarësisht gjithçkaje shqiptarët duan të bëhen pjesë e BE. Është hera e parë që me qëndrimet dhe komunikimin tim po vendos një standard si duhet të sillet në shekullin XXI një politika që synon të udhëheqë vendin drejt Europës.
Duhet të diferencoj mes tre gjërave të ndryshme, ata që flasin në emër të demokratëve, demokratët e pakënaqur që kërkojnë ndryshimin, ata duan të dinë ku do ta çojmë Shqipërinë përballë një regjimi si i Lukashenkos dhe atyre që duan ta instrumentalizojnë PD për arsye personale si Zoti Berisha”, u shpreh ai./Abcnews.al