“Më është ulur në gjunjë të anuloj zgjedhjet e 30 qershorit”, Basha i përgjigjet Metës: Gënjeshtër! Të tregojë kush ia ka kërkuar

Lideri demokrat Lulzim Basha ka folur për atë që ai e quan “Trekëndëshi i Bermudës” – kryeministrin Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në lidhje me ta, Basha tha se Berisha nuk është kundërshtari i tij, Rama është kundërshtar i gjithë shqiptarëve, ndërsa Meta shkatërroi fushatën gjatë 2 javëve të fundit.

Në lidhje me deklaratën e Metës se Basha i është lutur të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit të 2019, lideri demokrat tha në emisionin “Radari Informativ” në ABC se është gënjeshtër.

“Berisha nuk është kundërshtari im, Rama pa diskutim është kundërshtar i Shqipërisë dhe se ardhmes europiane, Është e pamohueshme që futja e Ilir Metës në fushatë ishte shkatërrimtare për LSI dhe PD-në. Janë mashtrime dhe gënjeshtra që unë e kam lutur të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Meta e di se kush ia ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ta thotë. Unë nuk jam këtu për të bërë zëdhënësi i tij”, tha Basha./albeu.com