Basha në Kuvendin Kombëtar: Rama e shet vjedhjen e zgjedhjeve si sukses

Sot është mbledhur në Pallatin e Kongreseve Kuvendi Kombëtar i PD-së. Kuvendin e ka çelur kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili mbajti si fillim një minut heshtje për viktimat e Covid-19 në Shqipëri.

Më pas Basha filloi të komentojë zgjedhjet e 25 prillit të cilat i cilëson si masakrën më të madhe elektorale në historinë e pluralizmit në vend.

Kryedemokrati tha se, Rama e ka shitur dështimin si fitore dhe vjedhjen e votave si sukses elektoral.

“Ata vazhduan planin e tyre për plaçkitjen e Shqipërisë, me tendera sekretë dhe koncesionet. Kur qeveria ofroi paketën më të ulët mbështetëse, jeta e qytetarëve u vu në rrezik. Ky rrezik nuk erdhi vetëm nga pandemia, por nga interesat e qeverisë kundrejt pakicës. Njësoj si me pandeminë, ndodhi edhe një tjetër fatkeqësi, ajo e tërmetit të 26 nëntorit. Ndërkohë që njerëzit ishin ende në çadra, hajdutët e fatkeqësisë vodhën tenderat. Ata i lanë qytetarët 1 vit e gjysmë në mëshirë të fatit ku disa prej tyre i blenë për zgjedhjet, duke iu dhënë fondet. Përsëri Edi Rama vuri pushtetin e tij para sigurisë dhe mbijetesës së familjeve shqiptare. Motra dhe vëllezër, demokratë, kjo që po ndaj me ju është vetëm pak nga e gjithë e vërteta e hidhur, modeli i antivlerave që kemi përballë, modeli që shet dështimin si fitore dhe vjedhjen e zgjedhjeve si sukses zgjedhor. Këto janë disa prej masakrës së 25 prillit. Regjimi Rama-Doshi ka punuar me çdo mjet për të vjedhur, për interesat e tyre, kundër interesave të njerëzve të thjeshtë, Këto nuk janë vetëm konstatimet tona, por janë pjesë të raportit të OSBE/ODHIRIT. Në të dyja këto dokumente flitet për blerjen masive të votave, keqpërdorimi i institucioneve nga qeveria, vjedhja e të dhënave personale të qytetarëve nga partia në pushtet, përmes patronazhistëve, duke ushtruar presion. Shkelja e ‘5 Qershorit’, ndryshimet kushtetuese të njëanshme, në kundërshtim me ‘Venecias’, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve, rritja e paprecedentë e fletëve të pavlefshme të votimit, është masakër zgjedhore. PD ka depozituar në KQZ dhe në SPAK mijëra informacione, fakte, dokumente, muaj, javë dhe ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, që provonte vjedhjen më të madhe në historinë e pluralizmit. Ne e dimë edhe më shumë se sa ç’thonë raportet ndërkombëtare në gjuhën diplomatike. I kam dëgjuar rrëfimet tuaja.”, tha Basha./albeu.com


Shtuar 17.07.2021 11:43