Autoritetet Lokale në KiE ndalen te rasti Veliaj: Paraburgimi afatgjatë dëmton të drejtat e kryebashkiakut dhe të zgjedhësve

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës ka përfshirë rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në raportin e katërt monitorues mbi zbatimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri.

Duke u mbështetur te gjetjet e Komisionit të Venecias, autorët e dokumentit theksojnë se “paraburgimi i zgjatur i kryetarëve të bashkive duhet trajtuar me kujdes të veçantë”. Sipas tyre, një gjendje e tillë “mund të vërë në pikëpyetje si të drejtat individuale të kryetarëve sipas Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu edhe të drejtat e votuesve që i kanë zgjedhur ata”.

Të lidhura

None found

Raporti ndjek kronologjinë e plotë të ngjarjeve: nga arrestimi i Veliajt, te tentativat për t’i hequr mandatin dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e riktheu në krye të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, theksohet se “në praktikë, z. Veliaj nuk është në gjendje t’i ushtrojë detyrat e tij si kryetar bashkie, pasi vazhdon të mbahet në paraburgim”.

Gjithashtu dokumenti përmend vendimin e mëvonshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën e arrestit, me të cilin çështja “e ktheu çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, duke konstatuar se vendimi i saj i mëparshëm për paraburgimin nuk ishte arsyetuar mjaftueshëm për sa i përket proporcionalitetit të masës së paraburgimit”.

Pjesa e raportit kushtuar kryebashkiakut Veliaj

“Mbrojtja gjyqësore e të drejtave të qeverisjes vendore luan një rol të rëndësishëm në Shqipëri. Sipas një burimi, gjithsej 36 kryetarë bashkish, në detyrë ose ish-kryetarë, janë hetuar për akuza korrupsioni vitet e fundit.[47] Në shkurt të vitit 2025, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) arrestoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me akuza për korrupsion; që prej asaj kohe, ai mbahet në paraburgim.

Në shtator të vitit 2025, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi për shkarkimin e kryetarit nga detyra për shkak të mungesës në vendin e punës për më shumë se 3 muaj. Në bazë të kësaj, qeveria nxori një dekret shkarkimi dhe me dekret presidencial u caktua mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Megjithatë, në nëntor të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e riktheu Erion Veliajn në postin e kryetarit të bashkisë, duke e cilësuar shkarkimin e tij si antikushtetues dhe duke anuluar zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet. Në praktikë, z. Veliaj nuk është në gjendje t’i ushtrojë detyrat e tij si kryetar bashkie, pasi vazhdon të mbahet në paraburgim.

Raportuesit e konsiderojnë jashtë fushëveprimit të këtij raporti komentimin e procedimeve penale në vazhdim. Si vëzhgim të përgjithshëm, ata dëshirojnë vetëm të theksojnë se Shqipëria renditet ndër vendet me nivelet më të larta të paraburgimit në Evropë, si dhe me një kohëzgjatje mesatare relativisht të gjatë të paraburgimit. Raporti i Komisionit të Venecias mbi ndikimin e paraburgimit të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes vendore demokratike ka theksuar se paraburgimi i zgjatur i kryetarëve të bashkive duhet trajtuar me kujdes të veçantë, pasi mund të vërë në pikëpyetje si të drejtat individuale të kryetarëve sipas KEDNJ-së, ashtu edhe të drejtat e votuesve që i kanë zgjedhur ata.

Në maj të vitit 2026, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e pranoi pjesërisht ankimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës kundër paraburgimit të tij dhe e ktheu çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, duke konstatuar se vendimi i saj i mëparshëm për paraburgimin nuk ishte arsyetuar mjaftueshëm për sa i përket proporcionalitetit të masës së paraburgimit. Më 15 shtator 2026, Gjykata e Lartë e la në fuqi urdhrin e paraburgimit”.

Dokumenti u dorëzua Kongresit më 7 tetor dhe pritet të vërë në votim më 27 tetor.


Shtuar më 12.10.2026 20:19