Atentati me 3 viktima në Shkodër/ Shpallen në kërkim dy persona, anëtarë të grupit të Bajrave (EMRAT)

Policia e Shkodrës, ka shpallur në kërkim dy persona lidhur me atentatin mafioz në Dobraç të Shkodrës, ku u ekzekutuan me breshëri plumbash Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërsa Flutura Basha ndërroi jetë, pasi u përplas së bashku me bashkëshortin nga mjeti S Class që po drejtohej nga viktimat.

Burime bëjnë me dije se në kërkim janë Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të dy të njohur si anëtar të grupit të Bajrave, familje me të cilin Licët prej vitesh kishin përplasje të ashpra duke prodhuar disa viktima.

Sakica dhe Troshani, janë po ashtu në kërkim për një tjetër ngjarje të ndodhur më herët më 23 gusht në Bushat të Shkodrës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre dhe 2 vëllezërve Andrea e Sandër Prendi.

Ndërkohë në qytetin verior ende ndodhet RENEA, e cila po kreh zonën për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Policia gjithashtu, po merret me kqyrjen e kamerave të sigurisë, jo vetëm më afërsi të zonës, por edhe në lagje të tjera të qytetit.

Deri më tani ende nuk është faktuar se personi i tretë i dyshuar në mjetin e viktimave të ketë qënë Ibrahim Lici.

Edhe pse qarkullon një foto, që në dukje ka ngjashmëri të madhe me të shumëkërkuarin, blutë ende nuk e kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Ibrahim Licin. Pritet përgjigja e njollave të gjakut dhe të shenjave të gishtave për të parë nëse është ai apo jo.


Shtuar 2.11.2024 11:13