Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Ohad Nakash Kaynar, ka mohuar çdo përfshirje apo lidhje të shtetit izraelit me biznesmenin Ron Yeffet, i cili është përmendur në media në kuadër të skandaleve që lidhen me industrinë e armatimeve në Shqipëri.
Gjatë intervistës në emisionin “Newscast”, të gazetarit Arbër Hitaj, diplomati u pyet nëse Yeffet ka marrëdhënie me qeverinë izraelite. Kaynar sqaroi se bëhet fjalë për një individ privat, me shtetësi amerikane dhe shqiptare, aktiviteti i të cilit nuk përfaqëson shtetin e Izraelit.
Të lidhura
None found
“Nëse nuk gabohem, ai ka pasaportë amerikane dhe gjithashtu pasaportë shqiptare. Për pretendimet se pas tij qëndron qeveria izraelite, përgjigjja ime është kjo: Izraeli i shet armë botës, por nuk mund të thuhet se shteti izraelit fshihet pas këtij biznesmeni. Nëse ai ka kryer ndonjë veprim të gabuar, gjë për të cilën nuk kam dijeni dhe që duhet të përcaktohet nga hetimet në Shqipëri, unë nuk jam jurist. Sidoqoftë, bizneset e industrisë së mbrojtjes të Izraelit do të zhvillohen gjithmonë hapur dhe në mënyrë transparente”, deklaroi ambasadori Kaynar.
Sipas tij, çdo shkelje e mundshme duhet të verifikohet nga institucionet shqiptare dhe personat përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. Ai nënvizoi se veprimtaria e një biznesmeni të veçantë nuk duhet të ngatërrohet me marrëdhëniet zyrtare mes Shqipërisë dhe Izraelit.
“Nëse ka pasur veprime të paligjshme, cilido që i ka kryer duhet të hetohet dhe, kur është e nevojshme, të ndiqet penalisht. Kjo çështje është e ndarë nga marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë, pasi bëhet fjalë për një biznesmen të vetëm”, u shpreh diplomati izraelit.
Kaynar tha gjithashtu se Izraeli renditet ndër eksportuesit më të njohur në botë të sistemeve të mbrojtjes dhe të sigurisë kibernetike. Megjithatë, ai theksoi se marrëveshjet zyrtare të shtetit izraelit kryhen vetëm përmes procedurave të rregullta, të hapura dhe transparente.








