Ali Ahmeti: BDI do të realizojë projektet më të mira për Haraçinën

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka zhvilluar sot një takim në komunën e Haraçinës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

BDI ka prezatuar listën e kandidatëve për këshilltar në këtë komunë dhe kandidatin për kryetar të komunës, Ridvan Ibrahimi.

Kryetari i partisë Ali Ahmeti gjatë fjalës së tij tha se prioritet i BDI-së ka qenë ngritja e kuadrove dhe shkollimi i tyre dhe se për Haraçinë do të realizohen projektet më të mira.

“Unë jam sot këtu me bashkëpunëtorë për të demonstruar fort para juve që Haraçina dhe kandidati juaj ka mbështetjen e institucioneve dhe BDI-së, për të realizuar projekte në të mirë të qytetarëve për të bërë punë në dobi të brezave që do vijën. Jemi përballur në situata të vështira por asnjëherë nuk kemi ngritur flamurin e bardhë e nëse mendoni se BDI do e ngrejë flamurin e bardhë e ka shumë gabim, sepse ne nuk na lejon origjina e kodi gjenetik që e kemi dhe origjina jonë nuk është e thjeshtë sepse nuk kemi dal nga televizorët të bëhemi politikanë. E ardhmja jonë është NATO që e kemi realizuar, BE-ja që do e realizojmë së shpejti dhe sot Agjenda e gjelbër, rinia që ne kemi dhe jemi shumë të vendosur ta realizojmë si një realitet pas kapitujve që kemi përmbyllur”, ka thënë Ahmeti./albeu.com

 

 


Shtuar 2.10.2021 14:08