2400 dollarë rrogë, Rama kërcënon kontrollorët e Rinasit: Kthehuni në detyrë!

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Tepelenë foli sërish rreth protestës së kontrollorëve të Aeroportit të Rinasit.

Ai paralajmëroi kontrollorët të kthehen në detyrë duke shtuar se kjo protest është  përpjekja e dëshpëruar e Metës dhe Berishës për të rrezuar qeverinë do të dështojë.

“Në vazhdën e një përpjekje të dëshpëruar për të rrezuar me çdo kusht qeverinë tonë, edhe shtetin. Në këtë rast kanë menduar të vrasin disa shokë me një gur, të bllokojnë edhe vaksinimin. I kanë bërë llogaritë gabim, kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin më të gabuar për ta sfiduar me të tilla akte ekstreme.

Kanë shfrytëzuar një grup kokash të nxehta te kontrollorët e AlbControll-it. Shpresoj shumë dhe u bëj thirrje atyre të tjerëve të kthehen në detyrë një orë e më parë. Është e paimagjinueshme që për të kërkuar një pagë, në atë sistem që nuk ka lidhje me buxhetin e shtetit, por që është ulur për shkak të pandemisë që ka goditur sektorin e transportit ajror, e kanë aktualisht 2400 dollarë në muaj, dhe nuk pranojnë të punojnë se duan pagën e plotë, sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë.

I kanë bërë llogaritë gabim dhe shumë shpejt do ta vëmë në kontroll situatën. Plani i tyre për ta bllokuar me ditë të tëra aeroportin deri në zgjedhje. Plani i tyre do të dështojë”, tha kreu i qeverisë. /albeu.com/

 

 


Shtuar 7.04.2021 05:04