Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, zhvilloi takime në Bruksel me zyrtarë të institucioneve evropiane dhe eurodeputetë, ku kërkoi përshpejtimin e integrimit të vendit në BE. Ai vuri në pah si synime marrjen e statusit të vendit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim.
Angazhimet e Zulfajt nisën në Luksemburg, me zyrtarizimin e anëtarësimit të Kosovës në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike. Më pas ai qëndroi tri ditë në Bruksel, ku zhvilloi takime dhe diskutime për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Në kryeqendrën e BE-së, Zulfaj u takua me komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, si dhe me përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane e anëtarë të Parlamentit Evropian.
Sipas tij, mesazhi në takime ishte se përparimi i Kosovës në vitet e fundit duhet të pasohet me veprime konkrete drejt anëtarësimit, duke nisur me statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.
Postimi i plotë:
Java ime intensive nisi në Luksemburg, ku zyrtarizuam anëtarësimin e Kosovës në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike. Më pas, në Bruksel, kalova tri ditë në takime dhe diskutime produktive për përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në Bruksel u takova me komisioneren për Zgjerim, znj. Marta Kos, me përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane dhe me eurodeputetë.
Në secilin takim theksova se Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit. Tani ky progres duhet të pasqyrohet në hapa konkretë drejt anëtarësimit, duke nisur me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.




