Rreth 5 mijë qytetarë kanë paraqitur kërkesa për fitimin, rifitimin ose humbjen e shtetësisë me lirim, nga janari deri në qershor të këtij viti, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Sveçla njoftoi se, duke filluar nga e hëna, 17 gusht 2026, vendimet për këto procedura do t’u dorëzohen qytetarëve në zyrën e zhvendosur në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil.
Të lidhura
None found
Ministri sqaroi se kalimi në lokacionin e ri synon të sigurojë kushte më të përshtatshme për qytetarët dhe një ofrim më efikas të shërbimeve.
“Qytetarët do të kenë në dispozicion një ambient më të përshtatshëm dhe shërbim më efikas”, ka shkruar Sveçla.
Me qëllim që të shkurtohet koha e pritjes dhe të pakësohen radhët, ai bëri të ditur se është rritur edhe numri i stafit mbështetës.
Për fitimin, rifitimin dhe humbjen e shtetësisë me lirim, qytetarët mund të aplikojnë edhe nëpërmjet platformës e-Kosova. Sipas Sveçlës, mundësia e aplikimit online e bën procedurën më të thjeshtë dhe më të qasshme.
“Do të vazhdojmë angazhimin tonë për t’u garantuar qytetarëve shërbime sa më të shpejta, efikase dhe të qasshme”, ka deklaruar ai.
