Sadik Zeqiri ka analizuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që trajton çështjen e afateve për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe konstituimin e institucioneve shtetërore. Ai ka vërejtur se ky vendim, në vend që të hapë rrugë drejt zgjidhjeve politike dhe funksionimit normal të Kuvendit, më shumë po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor.
Të lidhura
None found
Zeqiri sqaroi se Gjykata ka ndriçuar disa aspekte të çështjes, por ka lënë të paprekur afatin ligjor prej 30 ditësh për formimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Gjykata Kushtetuese dha sqarime për disa çështje, por shumicën e çështjeve i la ashtu siç ishin të ditura më parë. Ajo rikonfirmoi se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, deklaroi Zeqiri.
Ai vuri në dukje se Gjykata ka ripohuar faktin që Qeveria aktuale është zgjedhur në përputhje me ligjin dhe mund të vazhdojë ushtrimin e detyrës pa pengesa.
Gjithashtu, Zeqiri informoi se periudha për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 6 gusht dhe do të mbyllet më 6 tetor.
“Tani është bërë e ditur se mandati për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 6 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Nëse deri pas 6 tetorit nuk arrijmë të zgjedhim presidentin, vendi do të detyrohet të shkojë në zgjedhje”, theksoi ai.
Ai shtoi se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ua ka bërë të qartë të gjitha subjekteve politike dhe ekspertëve të tyre ligjorë se afati për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë pas certifikimit të rezultateve.
Zeqiri shprehu kritika ndaj interpretimeve divergjente të afateve kushtetuese, duke nënvizuar se për interpretimin e normave kushtetuese duhet të flasin vetëm specialistët e fushës.
“Çështjet kushtetuese duhet t’i trajtojnë juristët, ata që i njohin mirë këto tema, sepse për fat të keq po shohim njerëz që po bëjnë gabime në interpretime”, deklaroi ai.
Duke komentuar mbi ankesën e Partisë Demokratike, Zeqiri sqaroi se ajo ndërlidhet si me procedurën e zgjedhjes së presidentit, ashtu edhe me atë të kryetarit të Kuvendit.
“Sa i takon kryetarit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë më parë një aktgjykim ku ka përcaktuar datën e prerë, që është vetëm 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, rikujtoi Zeqiri.
“Fatkeqësisht, unë e shikoj se edhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese më shumë po e drejton vendin drejt zgjedhjeve sesa drejt zgjidhjes së ngërçeve të brendshme politike dhe punës e funksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përmbylli ai.
