Singapori vijon të dominojë Indeksin e Pasaportave Henley për të dytin vit me radhë, pavarësisht se vendet evropiane zënë një pjesë të konsiderueshme të listës.
Të lidhura
None found
Në krye të klasifikimit qëndron Singapori me akses në 192 shtete pa pasur nevojë për vizë, ndërsa në pozitën e dytë ndodhen tri shtete: Japonia, Korea e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, qytetarët e të cilave udhëtojnë lirisht në 188 destinacione, raporton Euronews.
Ky indeks, i cili mbështetet në statistikat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA) për të llogaritur se në sa vende mund të hyjnë shtetasit pa vizë të marrë më parë, feston këtë edicion 20 vjetorin e krijimit të tij.
Suedia siguroi vendin e tretë falë 187 destinacioneve të aksesueshme pa viza. Menjëherë pas saj, me nga 186 destinacione, vijnë Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.
Grupi i pesë vendeve më të mira plotësohet nga Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra.
Megjithëse 29 kombe evropiane figurojnë mes dhjetë pasaportave më të forta, disa prej tyre ende nuk arrijnë të mbajnë ritmin.
Qytetarët e Bjellorusisë mund të lëvizin pa viza në vetëm 78 shtete, gjë që e vendos atë në pozitën e 62-të. Pasaporta e Kosovës ndodhet pak më sipër, në vendin e 60-të bashkë me Kinën, duke u ofruar mbajtësve mundësi udhëtimi në 83 vende.
Sidoqoftë, Kosova ka shënuar një progres të ndjeshëm gjatë viteve të fundit, duke u ngjitur plot 35 shkallë në renditje që nga viti 2016.
Emiratet e Bashkuara Arabe dallohen si kombi me përparimin më spektakolar në dy dekadat e fundit. Sot ato zënë vendin e dytë globalisht, pas një ngjitjeje prej 60 pozicionesh dhe zgjerimit të aksesit në 153 destinacione shtesë.
Vjet Emiratet renditeshin të dhjetat, por tani kanë lënë pas Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka rënë në pozitën e gjashtë.
Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në vendin e 10-të me 180 destinacione, duke ruajtur pozicionin e njëjtë si në vitin 2025, kur shënuan nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në këtë klasifikim.
Christian H. Kaelin, drejtuesi i kompanisë Henley & Partners, theksoi se fuqia e një pasaporte sot ndikon thellësisht në oportunitetet, sigurinë dhe integrimin ekonomik të individëve, duke shtuar se përfitimet e lëvizshmërisë globale po përqendrohen gjithnjë e më tepër te kombet me peshë të madhe ekonomike dhe politike.
