Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me Atdhe Hykollin, i cili së fundmi u rikonfirmua në krye të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Të lidhura
None found
Në një komunikatë zyrtare, Kurti tregoi se gjatë bisedës i shprehu Hykollit urime për mandatin e ri, duke theksuar gatishmërinë e ekzekutivit për të bashkëvepruar në funksion të avancimit, konsolidimit dhe vënies në jetë të të drejtave të punonjësve.
“Sot prita në takim kryetarin e rizgjedhur të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, të cilin e urova për mandatin e ri dhe i ofrova bashkëpunimin e Qeverisë me qëllim të mbrojtjes, forcimit dhe zbatimit të të drejtave të punëtorëve”, njoftoi Kurti.
Ai riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmirësuar gjendjen dhe ambientin e punës për punonjësit, duke evidentuar disa hapa që, sipas tij, janë ndërmarrë gjatë qeverisjes së tij.
Sipas kreut të qeverisë, ky përkushtim pasqyrohet në rritjen e pagës minimale, legalizimin e tregut të punës, zgjerimin e trupës së inspektorëve të punës dhe finalizimin e kuadrit ligjor përkatës në këtë sektor.
