Ekipet mbrojtëse të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe të Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, kundërshtuan fuqishëm mënyrën e ndërtimit të çështjes dhe provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në procesin për “pengimin e administrimit të drejtësisë”.
Të lidhura
None found
Avokatët Sophie Menegon dhe Jonathan Rees e përqendruan argumentimin te parimet themelore të procesit të rregullt, përfshirë prezumimin e pafajësisë, barrën e provës dhe ndalimin e përdorimit të materialeve që nuk janë verifikuar në mënyrë shkencore.
Një prej kundërshtimeve kryesore të mbrojtjes lidhej me transkriptet e bisedave të regjistruara gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit.
Menegon deklaroi se ZPS-ja ka paraqitur rreth 30 orë regjistrime audio, ndërsa transkriptet, sipas mbrojtjes, janë vetëm “interpretime” subjektive të personelit të paidentifikuar të Prokurorisë dhe jo produkte të një ekspertize të pavarur forenzike.
Menegon: Transkriptet nuk janë autentike
“Në kërkesën tonë për verifikim kemi dorëzuar një tabelë ku bënim një përmbledhje të kundërshtimeve për secilin transkript. Dhe po citoj, audio është e padallueshme, mbrojtja kundërshton mbështetshmërinë dhe autenticitetin e transkriptit shqip, në shqip, dhe përkthimin e këtij transkripti pastaj. ZPS-ja nuk ka treguar se çfarë ka bërë për transkriptimin e audios forenzike të padallueshme në mënyrë të duhur. Rrjedhojë, nuk mund të thuhet se ne nuk kemi paraqitur provat tona ndaj ZPS-së apo kundërshtimet tona. Ne e kemi bërë këtë dhe në mënyrë të përsëritur”, tha Menegon.
Sipas saj, Prokuroria nuk ka dëshmuar se transkriptet janë të sakta. Ajo vuri në dukje gjithashtu se ZPS-ja nuk ka sjellë para gjykatës ndonjë ekspert apo transkriptues që të shpjegojë procedurën e ndjekur. Për pasojë, mbrojtja nuk ka pasur mundësi t’i marrë ata në pyetje, e drejtë e garantuar nga Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokatët kundërshtuan edhe mënyrën se si ZPS-ja po e interpreton ligjin penal të Kosovës. Debati u përqendrua veçanërisht te ndryshimi mes “veprimit të përbashkët në një grup” dhe “bashkëkryerjes”. Sipas mbrojtjes, Prokuroria po përpiqet të vendosë një precedent të ri, të pasaktë dhe të panjohur në jurisprudencën kosovare, duke pretenduar se edhe prania pasive apo bisedat e zakonshme mes personave mund të përbëjnë veprim të përbashkët kriminal.
Menegon: Veprimi i përbashkët nuk është i njëjtë me atë të koordinuar
“Ne parashtrojmë se veprimi i përbashkët i një grupi duhet të interpretohet në përputhje me jurisprudencën e Kosovës dhe duhet gjithashtu të interpretohet në mënyrë që t’i jepë fjalës kuptimin e saj. Kjo do të thotë që nuk mund të interpretohet thjesht si një mënyrë tjetër e të thënit bashkëkryerje, vetëm pse ZPS-ja pajtohet me këtë. Veprimi i përbashkët parashtrojmë neve, qëndrimi jonë është se është i ndryshëm nga veprimi i koordinuar. Do të thotë veprim i ndërmarrë fizikisht së bashku.”
Një tjetër çështje e ngritur gjatë seancës ishte kuptimi juridik i “tentativës” për pengimin e drejtësisë. Avokati Rees argumentoi se veprime të tilla si ruajtja ose shkëmbimi i letrave të printuara në qendrën e paraburgimit nuk përbëjnë automatikisht tentativë penale, nëse nuk shoqërohen nga një veprim thelbësor dhe i drejtpërdrejtë kundër administrimit të drejtësisë.
Rees: Udhëzimet për dëshmitarin nuk e pengojnë dëshminë
“Dhënia e udhëzimeve të hollësishme dëshmitarit nuk përbën pengim, nuk e pengon marrjen, përgatitjen apo marrjen në pyetje, testimin, verifikimin e provave të dëshmitarit në çështjen gjashtë, pa asgjë më tej. Nuk është veprimtari kjo që përmbush, që përbën veprime përgatitore, apo akte përgatitore. Është thjesht një veprimtari, sjellje, që nuk shkon përtej, më shumë sesa marrëveshjes, planifikimit apo organizimit me një person tjetër të kryerjes së veprës penale, që si rezultat i nenit 27, nuk e ka aftësinë që të pengojë pa bërë diçka tjetër. E njëjta gjë vlen për dokumentet e printuara, dhe që t’u japësh atyre… dhe dhënien e tyre të bashkëakuzuarve në shkelje të procedurës së qendrës së paraburgimit. Pa asgjë të mëtejshme, pa veprime të mëtejshme, kjo mund të jetë një shkelje e procedurave të qendrës së paraburgimit, por nuk përbën pengim.”
Mbrojtja kritikoi edhe mungesën e transparencës së ZPS-së për origjinën e disa dokumenteve dhe mënyrën se si ato janë administruar nga gjykata.
Në përfundim të seancës, avokatët kërkuan që Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë të lirohen nga të gjitha akuzat përkatëse. Ata paralajmëruan trupin gjykues se një vendim fajësie i mbështetur në transkripte të pakontrolluara dhe në interpretime të paprecedenta të ligjit do të cenonte rëndë parimet e drejtësisë universale dhe të drejtat e të akuzuarve.
