Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar sot në Prishtinë Raportin Ex officio që trajton funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në këtë dokument, të prezantuar gjatë një tryeze diskutimi, ngrihen shqetësime serioze lidhur me nivelin e ulët të transparencës dhe mungesën e përgjegjshmërisë së këtyre institucioneve.
Të lidhura
None found
Sipas gjetjeve të raportit, Dhomat e Specializuara kanë funksionuar jashtë çdo forme të mbikëqyrjes demokratike nga institucionet e Kosovës. Kjo situatë, thekson Avokati i Popullit, ka krijuar një hendek të theksuar në raport me qytetarët dhe organet shtetërore të vendit, të cilëve u mungon qasja në informacion dhe mundësia për të kërkuar llogari.
Në dokument theksohet se “Gjykata Speciale nuk i është nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”.
Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim se mungesa e një komponente vendore dhe e mbikëqyrjes nga autoritetet kosovare ka vënë në pikëpyetje respektimin e garancive për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Raporti veçon disa aspekte problematike, përfshirë zgjatjen e paraburgimit, ekuilibrin procedural midis palëve në proces, kriteret e pranimit të provave, mbikëqyrjen e komunikimeve si dhe pavarësinë e trupave mbikëqyrëse.
Ndër rekomandimet kryesore të raportit përfshihet kërkesa që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të krijojnë kushte për një mekanizëm të pavarur dhe profesional, i cili do të ndiqte procedurat gjyqësore në Dhomat e Specializuara. Po ashtu, Avokati i Popullit kërkon që shqetësimet e evidentuara të përcillen pranë Këshillit të Evropës dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë përkatës.






