Tekstet dhe materialet shkollore që sigurohen përmes subvencionimit për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, nga klasat 1–9, duhet të mbahen me kujdes dhe t’u dorëzohen shkollave kur të përfundojë viti mësimor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ua ka rikujtuar këtë detyrim të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë.
Në njoftimin e saj, ministria sqaron se përgjegjësia e nxënësve dhe prindërve për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe kthimin e teksteve shkollore bazë buron nga Udhëzimi Administrativ i MASh Nr. 13/2016, që rregullon pajisjen me tekste, përdorimin dhe ruajtjen e tyre, si dhe nga Deklarata e prindit/kujdestarit ligjor përfitues të subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2026-2027. Librat duhet të jenë në gjendje të përshtatshme për t’u përdorur sërish dhe, në fund të vitit mësimor, dorëzohen te kujdestari i klasës.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, duke filluar nga java e ardhshme, Inspektorati i Arsimit do të zhvillojë vizita në shkolla për të kontrolluar nëse nxënësit i kanë tekstet shkollore dhe nëse mësimi po zhvillohet rregullisht. Sipas ministrisë, ky verifikim synon të sigurojë që fondet e subvencionimit janë shpenzuar për blerjen e librave shkollorë.
MASh u kërkon gjithashtu prindërve dhe kujdestarëve të tregojnë kujdes për ruajtjen e teksteve, në mënyrë që ato të shërbejnë edhe për mësimin e brezave të ardhshëm të nxënësve.





