Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka ngritur në Kuvend çështjen e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Gjatë fjalës së tij, Krasniqi deklaroi se pavarësia dhe liria e Kosovës nuk erdhën si dhuratë, por u fituan përmes luftës, sakrificave dhe ndihmës së aleatëve. Ai shprehu kundërshtimin ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen ish-drejtuesit e UÇK-së nga procesi në Hagë.
Të lidhura
None found
Sipas deputetit, ish-krerët e UÇK-së nuk po përballen me gjykimin për veprime individuale, por për shkak të detyrave politike që kishin ushtruar gjatë periudhës së luftës.
“Kanë kaluar gjashtë vjet nga arrestimi i krerëve të UÇK-së dhe 50 ditë nga 16 shtatori, dita kur në Hagë u shpall aktgjykimi. Më 16 shtator 2026 nuk u dënuan Jakupi, Hashimi, Kadriu e Rexhepi për veprimet e tyre individuale, por për postet politike që kishin mbajtur”, është shprehur Krasniqi.
Ai kritikoi gjithashtu interpretimin e gjykatës për organizimin e brendshëm të UÇK-së, duke iu referuar qëndrimit të gjyqtarit Smith për rolin e Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm.
“Nuk ishte e rastësishme që gjyqtari Smith insistonte se Drejtoria Politike e UÇK-së ishte një organ mbi organet e tjera dhe se kishte autoritet mbi të gjithë UÇK-në. Nuk ishte e rastësishme as përpjekja për t’i bërë përgjegjës ata persona që në një formë kishin lidhje me Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka deklaruar ai.
Krasniqi pretendoi se kjo qasje synon të dëmtojë edhe qëllimet e luftës së UÇK-së, të cilat, sipas tij, kanë mbetur të njëjta ndër breza.
“Arsyeja është vetëm një: duan të njollosin objektivat e UÇK-së, që ndër breza kanë qenë të njëjta, liria dhe pavarësia e Kosovës, as më shumë dhe as më pak. Kjo liri u arrit me shumë përpjekje, gjak dhe jetë të humbura”, ka theksuar deputeti i PDK-së.








