Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur në mbledhjen e sotme rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi pas numërimit të votave të Komisionit se “Me 10 vota për shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 7 qershorit 2026”.
Të lidhura
None found
Ai sqaroi gjithashtu se, pas këtij vendimi, kandidatët mund të paraqesin ankesë ndaj shpalljes së rezultatit brenda 48 orëve, duke nisur nga ora 12:00 sot dhe duke përfunduar në orën 12:00 të hënën.
Sipas Radoniqit, Lëvizja Vetëvendosje me 47.13% ka siguruar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës me 19.44% ka marrë 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 ulëse, ndërsa Aleanca shtatë ulëse.
KQZ ishte paraparë të mblidhej sot në orën 11:00, ndërsa në rend dite kishte shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të zhvilluara më 7 qershor.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara më herët, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 53 deputetë, PDK-ja 22 deputetë, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7 deputetë.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, pritet të nisin procedurat për certifikimin e tyre dhe më pas bisedimet për formimin e institucioneve të reja.
