Bashkimi Evropian ka sinjalizuar se fondet e mbetura pa u përdorur nga Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina mund t’u kalojnë vendeve të tjera brenda Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në mbyllje të samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur të mërkurën në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se paratë do të drejtohen atje ku reformat kanë ecur më shpejt.
Të lidhura
None found
“Për sa i përket Planit të Rritjes, ne kemi shumë interes që fondet në dispozicion të shfrytëzohen. Këtë mundësi duhet ta shfrytëzojmë, sepse paratë janë të gatshme dhe duhet të investohen që të arrihen rezultate”, u shpreh von der Leyen gjatë një konference për shtyp.
Sipas burimeve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë brenda BE-së, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që pritet të marrin këto mjete shtesë.
Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë humbur përfundimisht një pjesë të fondeve, pasi nuk i zbatuan reformat brenda afateve të kërkuara.
Megjithatë, ende nuk janë publikuar shumat konkrete që ka humbur secili prej këtyre shteteve, as vlera e mjeteve shtesë që do t’u shkojë vendeve të tjera.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë kredi me kushte lehtësuese.
Mjetet shpërndahen dy herë në vit, në varësi të përmbushjes së reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.
Gjatë samitit në Bruksel, institucionet evropiane ripohuan angazhimin për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e lidhur avancimin e tyre me zbatimin e reformave.







