Një incident i ndodhur të dielën pasdite në parkingun e qendrës tregtare “Prishtina Mall” ka vënë në lëvizje Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Në rast janë përfshirë një zyrtar policor me gradën e kapitenit, i cili në atë moment ishte jashtë detyrës zyrtare, si dhe dy qytetarë, njëri prej të cilëve i mitur.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas raportimit të ngjarjes, hetuesit e IPK-së kanë shkuar në vendin e incidentit për të mbledhur të dhënat e para dhe për të sqaruar rrethanat.
Dyshohet se përplasja ka nisur pas një mosmarrëveshjeje për një çështje parkimi. Më pas, të gjithë personat e përfshirë janë shoqëruar në objektin policor për procedurat përkatëse.
Gjatë shqyrtimit të rastit janë paraqitur pretendime se një zyrtar tjetër policor mund të ketë tejkaluar autorizimet e tij ndaj njërit prej qytetarëve.
Sipas dyshimeve fillestare, pas shoqërimit në polici, një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë ka përdorur forcë ndaj njërit prej personave të përfshirë.
Për verifikimin e këtyre pretendimeve, hetuesit e IPK-së janë koordinuar me prokurorin kompetent dhe, nën udhëheqjen e tij, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së. Hetimi ndaj tij po zhvillohet për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Ndërkaq, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorin kompetent, do të vijojë hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë, të dyshuar për veprën penale të sulmit.
Për zyrtarin policor që mban gradën e kapitenit, hetimet do të kryhen nga IPK-ja për dyshimin e kryerjes së veprës penale të kanosjes.
IPK ka njoftuar se çështja është ende në fazat e para të hetimit. Të gjitha veprimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, në përputhje me procedurat ligjore, të drejtat e palëve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.
