Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octopus, ka reaguar pas dekorimit të ish-gjyqtares hetuese serbe Danica Marinkoviq nga Kisha Ortodokse Serbe, duke e konsideruar këtë akt si një vazhdim të politikës së ndjekur nga regjimi i ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se edhe 27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Serbia vijon të mos e pranojë përgjegjësinë për krimet e luftës dhe, sipas tij, po i kthen në heronj personat që kanë qenë të përfshirë në atë politikë.
Fetoshi ka nënvizuar se dekorimi i Marinkoviqit me Urdhrin e Shën Savës nga Patriarku Porfirije, bashkë me heroizimin e Milan Radoiçiqit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk përbëjnë episode të veçuara, por janë pjesë e një strategjie për t’i dhënë legjitimitet narrativës serbe për luftën në Kosovë.
Sipas tij, Marinkoviq, të cilën e përshkruan si person që ka “legalizuar” krimet e luftës dhe ka falsifikuar të vërtetën për masakrën e Reçakut, është nderuar si “shërbyese e së vërtetës dhe drejtësisë”, ndërkohë që autoritetet serbe po e paraqesin këtë si mbrojtje të viktimave serbe.
Ai vlerëson se këto zhvillime dëshmojnë vazhdimësinë e politikës së dhunës dhe rolin që Kisha Ortodokse Serbe ka në legjitimimin e saj, duke shtuar se dekorimi i Marinkoviqit “e sakralizon trashëgiminë gjenocidale të Serbisë”, ndërsa heroizimi i Radoiçiqit “e legjitimon vazhdimin e dhunës për qëllimet e politikës hegjemoniste”.
Në përfundim, Fetoshi ka kërkuar që Serbia të denoncohet pareshtur në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, përfshirë Uashingtonin, Brukselin dhe Londrën, si edhe në Tiranë, Shkup dhe Podgoricë.
